Pas miratimit të rezolutës për armëpushim në OKB, Izraeli zotohet për vazhdimin e operacioneve - NACIONALE

Pas miratimit të rezolutës për armëpushim në OKB, Izraeli zotohet për vazhdimin e operacioneve

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Izraeli është zotuar për vazhdimin e operacionit ushtarak në Gaza, duke thënë se nuk do të përfshihet në bisedime “të pakuptimta” me Hamasin, pak pas miratimit të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një plan armëpushimi në Gaza, që është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Përfaqësuesja e Izraelit në OKB, Reut Shapir Ben-Naftaly, theksoi në takimin e Këshillit të Sigurimit të hënën se vendi i saj dëshiron që “të sigurohet se Gaza nuk paraqet kërcënim ndaj Izraelit në të ardhmen”, raporton televizioni CNN.

Diplomatja e lartë tha se lufta nuk do të përfundojë derisa të gjitha pengjet të kthehen dhe derisa kapacitetet e Hamasit “të çmontohen”, duke e akuzuar grupin palestinez për “bisedime të pafundme… si mënyrë për të shkaktuar ngecje për [të blerë] kohë”.

Komentet e saj erdhën pasi 14 nga 15 shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit e mbështetën rezolutën e paraqitur nga Shtetet e Bashkuara – vetëm Rusia abstenoi – hera e parë që ky organ mbështet një plan të tillë për t’i dhënë fund luftës. Izraeli nuk është anëtar i Këshillit të Sigurimit dhe s’kishte të drejtë vote.

Në propozimin gjithëpërfshirës për arritjen e paqes me tri faza, ku përcaktohen kushtet që për qëllim e kanë lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura, në këmbim të një armëpushimi të përhershëm dhe tërheqje të forcave izraelite, ishte paraqitur fillimisht nga presidenti amerikan, Joe Biden, më 31 maj.

Votimi i rëndësishëm tani nënkupton që Këshilli i Sigurimit u bashkohet institucioneve të tjera ndërkombëtare në mbështetje të planit, duke e rritur presionin global ndaj Hamasit dhe Izraelit për t’i dhënë fund konfliktit.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, i cili ndodhet në vizitë në Lindje të Mesme, tha të martën se gjatë takimit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ky i fundit “e ripohoi përkushtimin e tij” ndaj propozimit të tanishëm për armëpushim dhe lirim pengjesh.

Më herët, gazeta Nacionale raportoi se një zyrtar i lartë i Hamasit ka thënë që ky grup e pranon propozimin e mbështetur nga Këshilli i Sigurimit dhe është i gatshëm për t’i negociuar hollësitë.

Më shumë: Hamasi e pranon rezolutën e OKB-së për armëpushim

Lajme të ngjashme