Pas lirimit nga Koreja Veriore, ushtari amerikan arrin në ShBA - NACIONALE

Pas lirimit nga Koreja Veriore, ushtari amerikan arrin në ShBA

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtari amerikan, Travis King, ka arritur në Shtetet e Bashkuara, pasi u dëbua nga Koreja e Veriut, ku ishte mbajtur për dy muaj i ndaluar për kalim të paligjshëm të kufirit.

King-u u shfaq në një video duke zbritur nga një aeroplan në San Antonio të Teksasit në orën 1 e 30 minuta pas mesnatës sipas kohës lokale, raporton televizioni BBC.

Specialisti 23-vjeçar i zbulimit në korrik të këtij viti e kishte kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin e Koresë Veriore, duke hyrë nga Koreja Jugore.

Para se të kthehej në atdhe, ushtari u mbajt në ndalim nga forcat amerikane në Kinë, pastaj udhëtoi me aeroplan për në një bazë ushtarake amerikane.

Mediat amerikane i morën pamjet e momentit të arritjes së ushtarit në tokën amerikane. Në fotografi shfaqet ushtari King duke u përcjellë nga disa zyrtarë, që e takuan në bazën ushtarake.

Të mërkurën, një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se pas muajve të “diplomacisë intensive”, ushtari u kthye në duart e ShBA-së dhe se familja e tij ishte kontaktuar.

“Mund të konfirmojmë se ushtari King është shumë i lumtur që është rrugës për në shtëpi dhe ai mezi pret që të ribashkohet me familjen e tij”- shtoi ky zyrtar.

Lajme të ngjashme