Pas komenteve të Trumpit për kontrollin e Grenlandës, sot pritet vizita e djalit të tij atje
Donald Trump Jr., i biri i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, pritet ta vizitojë të martën Grenlandën, përderisa babai i tij përsëri ka shprehur interesim për ta marrë nën kontroll ishullin gjigant.
Kjo vizitë është private, tha Mininnguaq Kleist, sekretar i përhershëm për çështje të jashtme i Grenlandës, dhe se Trump Jr. nuk ka takime të planifikuara me përfaqësues të autoriteteve qeverisëse të ishullit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne nuk jemi njoftuar për natyrën e këtij programi, prandaj kjo është një vizitë private”- tha Kleist, duke shtuar se Trump Jr. pritet të arrijë në ishull rreth orës 13:00 dhe do të qëndrojë për vetëm katër ose pesë orë.
Një burim i afërt me vizitën i tha agjencisë “Reuters” se Trump Jr. po planifikonte një vizitë njëditore për të incizuar video për një “podcast” dhe se ai nuk do të takohej me asnjë zyrtar qeveritar apo figurë politike.
Grenlanda, territor autonom i Danimarkës me popullsi prej vetëm 57 mijë banorësh, mburret me pasuri minerale, naftë e gaz natyror. Megjithatë, zhvillimi i ishullit ka qenë i ngadalshëm, duke e lënë ekonominë të varur nga peshkimi dhe subvencionet vjetore nga Danimarka.
Kryeqyteti i Grenlandës, Nuuk, ndodhet më afër Nju-Jorkut sesa kryeqytetit danez, Kopenhagë.
“Grenlanda është e hapur dhe ata që duan ta vizitojnë janë të mirëseardhur” – thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Grenlandës.
Presidenti i zgjedhur amerikan, i cili do ta marrë pushtetin më 20 janar, tha se djali i tij dhe disa përfaqësues do të vizitonin “disa prej zonave dhe pamjeve më madhështore”.
Në platformën e tij sociale “Truth Social”, Trumpi e vlerësoi lart ishullin dhe premtoi për ta bërë “Grenlandën të mrekullueshme përsëri!”
“Grenlanda është vend i pabesueshëm dhe populli do të përfitojë në mënyrë të jashtëzakonshme, nëse, dhe kur, ajo të bëhet pjesë e Kombit tonë” – shtoi Trumpi.
Gjatë mandatit të parë në Shtëpinë e Bardhë, ai ka shprehur interesim për ta blerë Grenlandën, por është kundërshtuar publikisht nga autoritetet daneze dhe ato të ishullit./Nacionale/Nasuf Abdyli