Pas kërcënimit të Trumpit për ndërhyrje, ShBA-ja po kryen fluturime vëzhgimi mbi Nigeri - NACIONALE

Pas kërcënimit të Trumpit për ndërhyrje, ShBA-ja po kryen fluturime vëzhgimi mbi Nigeri

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara kanë qenë duke kryer fluturime për grumbullimin e të dhënave të inteligjencës mbi pjesë të mëdha të Nigerisë që nga fundi i nëntorit, sipas të dhënave për përcjelljen e fluturimeve dhe disa zyrtarëve e ish-zyrtarëve amerikanë, në një shenjë të shtimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë mes dy vendeve.

Megjithatë, këto fluturime në pjesën Perëndimore të Afrikës vijnë pas kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, në nëntor për ndërhyrje ushtarake në Nigeri shkaku i atij që ai e quan dështim të shtetit afrikan për ta ndalur dhunën që në shënjestër i ka komunitetet e krishtera, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Aeroplani amerikan që operohet nga një kontraktor dhe që përdoret për operacione vëzhgimi zakonisht niset nga Gana dhe fluturon mbi Nigeri para se të kthehet në kryeqytetin e Ganës, Accra, sipas të dhënave për përcjelljen e fluturimeve për muajin dhjetor.

Këto të dhëna tregojnë se operator është kompania me bazë në Mississippi, “Tenas Aerospace”, e cila ofron aeroplanë për misione të veçanta dhe punon ngushtë me ushtrinë amerikane, sipas uebfaqes së firmës. Kjo kompani nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Një ish-zyrtar amerikan tha se aeroplani është në mesin e disa aseteve që administrate e Trumpit i vendosi në Ganë në nëntor. Është e paqartë se sa aeroplanë mbeten në Ganë, por ish-zyrtari tha se në këto misione përfshihet përcjellja e një piloti të rrëmbuer amerikan dhe grumbullimi i të dhënave të inteligjencës rreth grupeve militante në Nigeri. Boko Haram dhe organizata e tij, Provinca e Afrikës Perëndimore e Shtetit Islamik, janë në mesin e grupeve militante që operojnë në Nigeri.

Një zyrtar amerikan konfirmoi se aeroplani ka qenë duke fluturuar mbi Nigeri, por refuzoi që të jepte hollësi për shkak të ndjeshmërisë diplomatike të çështjes.

Një zyrtar tjetër i administratës amerikane tha se Uashingtoni po vazhdon të punojë me Nigerinë për t’i “adresuar dhunën fetare, sulmet kundër të krishterëve dhe përhapjen destabilizuese të terrorizmit”.

Ish-zyrtari amerikan dhe zyrtarët e tanishëm të administratës folën në kushte anonimiteti.

Përmes një deklarate, Pentagoni tha se qeveria amerikane ka mbajtur takime productive me Nigerinë pas porosisë së Trumpit për këtë shtet, por refuzoi që të diskutonte rreth ­çështjeve të inteligjencës./Nacionale

Lajme të ngjashme