Pas kandidatit për president, vritet edhe një udhëheqës lokal në Ekuador
Dhuna e pashembullt, që e ka dridhur Ekuadorin, i kushtoi me jetë dhe një udhëheqësi tjetër politik të hënën, duke e çuar në tre numrin e vrasjeve të lidhura me politikën në katër javët e fundit, përfshirë vrasjen e një kandidati për president.
Sulmi fatal ndaj Pedro Briones-it, udhëheqës lokal i partisë “Revolucion Ciudadana” të ish-presidentit Rafael Correa, u konfirmua nga Luisa Gonzalez, favorite në zgjedhjet presidenciale të së dielës dhe anëtare e partisë së njëjtë, raporton agjencia “Associated Press”.
Sulmi me armë ndaj udhëheqësit lokal ndodhi në provincën veriore, Esmeraldas. Hollësitë për këtë rast nuk ishin menjëherë të qasshme.
“Ekuadori është duke e përjetuar periudhën epokën e tij më të përgjakshme. Një përfaqim i ndier me zemër për familjen e kolegut Pedro Briones, i rënë nga duart e dhunës”- shkroi zonja Gonzalez në rrjete sociale.
Vrasja e Briones-it, i cili ishte udhëheqës politik në një zonë rurale të San Mateo de Esmeraldas, erdhi më pak se një javë pasi shteti i Amerikës Jugore u tmerrua nga vrasja në pikë të ditës e kandidatit për president, Fernando Villavicencio, i cili kishte qëndrim të fortë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Vrasja e këtyre dy figurave erdhi pas vrasjes së kryetarit të qytetit Manta, Agustin Intriago, 38 vjeç, më 26 korrik. Ai ishte rizgjedhur rishtazi kryetar në mandatin që e kishte nisur në maj.
Mijëra njerëz janë vrarë gjatë tri viteve të fundit në Ekuador, përderisa vendi është shndërruar në qendër të madhe të trafikimit të drogës dhe në vend për beteja mes bandave lokale për kontroll të rrugëve, burgjeve e rrugëve të drogës. Krimi dhe dhuna kanë mbizotëruar si tema gjatë diskutimeve për zgjedhjet e së dielës.
