Vritet kandidati për president të Ekuadorit që premtonte luftë kundër korrupsionit e bandave
Fernando Villavicencio, kandidat për president të Ekuadorit, i cili kishte bërë fushatë kundër korrupsionit e bandave, është qëlluar për vdekje në një tubim zgjedhor.
Anëtari i asamblesë kombëtare u sulmua përderisa po largohej nga një tubim në kryeqytetin Quito të mërkurën, raporton televizioni BBC. Dëshmitarët thanë se Villavicencio, 59 vjeç, u qëllua tri herë.
Ekuadori ka qenë historikisht shtet relativisht i sigurt dhe stabil në Amerikën Latine, por shtimi i krimit të dhunshëm rishtazi – i nxitur nga rritja e pranisë së bandave të drogës – ka qenë temë qendrore në fushatën e zgjedhjeve presidenciale.
Një pjesëtar i ekipit të tij të fushatës u tha mediave lokale se Villavicencio ishte duke hyrë në një veturë, kur një burrë u afrua dhe e qëlloi atë për vdekje.
I dyshuari u qëllua gjatë të shtënave me pjesëtarët e sigurimit dhe më vonë vdiq nga plagët, njoftoi prokurori i përgjithshëm i vendit.
Gjatë kaosit, nëntë persona të tjerë u lënduan, përfshirë një kandidat për asamble kombëtare dhe dy policë, thanë prokurorët.
Gjashtë persona janë ndaluar nga policia në lidhje me këtë vrasje pas bastisjeve në Quito, shtuan prokurorët.
Rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Ekuador është caktuar për datën 20 gusht.
Villavicencio ishte i martuar dhe kishte pesë fëmijë. Ai ishte njëri nga tetë kandidatët për rundin e parë të zgjedhjeve. Sipas sondazheve, ai nuk ishte favorit për të dalë i pari, por ndodhej diku në mesin e renditjes.