Pas Kanadasë, edhe Suedia e rinis financimin e ndihmave për Gazën përmes OKB-së
Qeveria suedeze njoftoi të shtunën se e ka rinisur financimin e agjencisë kryesore të OKB-së për ndihma humanitare në Gaza, UNRWA, duke thënë se kjo organizatë ka dhënë garanci për “kontrolle më të rrepta” si reagim ndaj akuzave se disa punëtorë të saj ishin të përfshirë në sulmin e Hamasit më 7 tetor në Izrael.
Kanadaja njoftoi për vendim të njëjtë të premten, duke i theksuar “proceset domethënëse” që agjencia e ndihmave i kishte themeluar për t’i adresuar akuzat nga Izraeli, raporton televizioni CNN.
Suedia dhe Kanadaja ishin në mesin e disa shteteve që e kishin pezulluar financimin e UNRWA-së në janar pas fillimit të qarkullimit të akuzave për një pjesë të stafit.
Qeveria suedeze tha në një deklaratë se ka pranuar “konfirmim dypalësh” nga UNRWA-ja se kjo agjenci do të lejojë “auditim të pavarur, do ta fuqizojë mbikëqyrjen e brendshme dhe do të mundësojë kontrolle shtesë ndaj stafit” brenda organizatës.
Gati 39 milionë dollarë i janë ndarë UNRWA-së për vitin 2024, tha Qeveria e Suedisë. Gjysma e kësaj shume është lëshuar si “pagesë fillestare” dhe më shumë të holla do të vijnë, përderisa UNRWA-ja “të bëjë përparim rreth masave”.
Vendimi për rifillimin e financimit u mor edhe “pas situatës humanitare akute në Gaza”, thuhet në njoftimin e autoriteteve suedeze.
“Në këtë situatë akute, ku nevojat në mesin e popullsisë civile janë të mëdha, prioriteti kryesor është shpëtimi i jetëve. UNRWA-ja është organizata që është e pozicionuar më së miri për t’i ndihmuar palestinezët e prekshëm” – tha Gudrun Brunegard, zëdhënëse për politika të ndihmave e Partisë Kristian-demokrate.