Pas Gjermanisë, edhe Britania e Spanja kundër furnizimit të Ukrainës me municion thërrmues
Pas Gjermanisë, edhe Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja kanë dalë kundër planit për ta furnizuar Ukrainën me municion thërrmues, të cilin e ka njoftuar presidenti amerikan, Joe Biden.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, tha të shtunën se vendi i tij është nënshkrues i konventës që i ndalon prodhimin ose përdorimin e municionit thërrmues dhe e dekurajon përdorimin e tij.
“Ne do të vazhdojmë që ta bëjmë pjesën tonë për ta përkrahur Ukrainën kundër pushtimit ilegal dhe të paprovokuar rus”- tha ai para gazetarëve.
Ministrja e Mbrojtjes e Spanjës, Margarita Robles, tha të shtunën se nuk duhet të dërgohet municion thërrmues për ta ndihmuar Ukrainën, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se do ta furnizojnë Kievin me armatim të tillë, raporton gazeta "The Guardian".
“Spanja, duke u mbështetur në zotimin e fortë që e ka me Ukrainën, gjithashtu ka një zotim të fortë se armë dhe bomba të caktuara nuk mund të dhurohen nën asnjë rrethanë”- tha zonja Robles para gazetarëve në Madrid gjatë një tubimi para zgjedhjeve të 23 korrikut në shtetin e saj.
“Jo bombave thërrmuese dhe po mbrojtjes legjitime të Ukrainës, për të cilën ne kuptojmë se nuk duhet të bëhet me bomba thërrmuese”- shtoi ai.
Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara nuk e kanë nënshkruar konventën për ndalimin e municionit thërrmues, më saktësisht prodhimin, grumbullimin, përdorimin ose transferimin e tij.
Kundër furnizimit të Ukrainës me municion thërrmues ka dalë edhe Gjermania. Qëndrimin për këtë çështje e ka bërë të qartë kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se vendimi për t’i dërguar municion thërrmues Ukrainës ka qenë shumë i vështirë, por ka shtuar se e ka marrë parasysh rekomandimin e Departamentit të Mbrojtjes dhe ka theksuar se ukrainasve po u harxhohet municioni.

