Pas faljes nga Trumpi, lirohet nga burgu ish-presidenti i dënuar me 45 vjet burg për drogë - NACIONALE

Pas faljes nga Trumpi, lirohet nga burgu ish-presidenti i dënuar me 45 vjet burg për drogë

2 ditë më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernandez, i cili ishte dënuar me 45 vjet burg për rolin e tij në një operacion për trafikimin e drogës gjatë të cilit ishin futur në ShBA qindra tonë kokainë, u lirua nga burgu pas faljes nga presidenti amerikan, Donald Trump, konfirmuan të martën zyrtarët.

Hernandezi u lirua të hënën nga burgu “Hazelton” në Virgjinian Perëndimore të ShBA-së, i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” një zëdhënës i Byrosë Federale të Burgjeve. Edhe në të dhënat e këtij institucioni në internet pasqyrohej lirimi i ish-presidentit të Hondurasit.

Lirimi i tij – ish-aleat i ShBA-së dënimi i të cilit, sipas prokurorëve, e shpërfaqte thellësinë e ndikimit të karteleve në Honduras – vjen vetëm disa ditë pas zgjedhjeve presidenciale në këtë shtet. Trumpi e mbrojti vendimin të dielën gjatë fluturimit me aeroplanin presidencial, “Air Force One”.

Falja e Hernandezit ndodhi gjithashtu në kohën e nismës agresive kundër narkotikëve nga presidenti amerikan, e cila ka nxitur kundërthënie intensive në Amerikën Latine. Muajve të fundit, forcat amerikane kanë goditur disa herë barka për të cilat thonë se ishin duke transportuar drogë drejt veriut.

Administrata amerikane thotë se këto sulme janë akte të ligjshme kundër karteleve të drogës, por kritikët thonë se ato i testojnë kufijtë e së drejtës ndërkombëtare dhe përbëjnë fushatë trysnie ndaj presidentit venezuelas, Nicolas Maduro.

Forcat amerikane kanë kryer 21 sulme ndaj barkave të dyshuara për transport të drogës, duke vrarë të paktën 83 njerëz. Administrata i ka justifikuar sulmet si përshkallëzim i nevojshëm për ta luftuar rrjedhjen e drogës drejt ShBA-së.

Të martën, bashkëshortja e ish-presidentit të Hondurasit, Ana Garcia, e falënderoi Trumpin që ia fali dënimin burrit të saj.

Lajme të ngjashme