Pas dramës me presidentin e vjetër, Peruja bëhet për herë të parë me një grua presidente
Për herë të parë, një grua – Dina Boluarte – është bërë presidente e Perusë, pasi presidenti i deritashëm, Pedro Castillo, u shkarkua. Presidentja e re u emërua vetëm disa orë, pasi Castillo u mundua që ta shpërndante parlamentin.
Zonja Boluarte u betua në detyrën e re pas një dite dramatike në Lima të mërkurën. Më herët gjatë ditës, Castillo tha se do ta zëvendësonte Kongresin me një “qeveri të jashtëzakonshme emergjente”, raporton televizioni BBC.
Sidoqoftë, ligjvënësit e shpërfillën këtë deklaratë dhe, në një seancë urgjente, e shkarkuan presidentin. Ai u ndalua dhe u akuzua për rebelim. Sipas raportimeve të medieve vendëse, ai ishte nisur drejt ambasadës meksikane, kur u arrestua.
Duke folur pas bërjes së betimit, presidentja e re bëri thirrje për “armëpushim” politik për ta tejkaluar krizën që e ka përfshirë këtë shtet të Amerikës Jugore. “Ajo që unë kërkoj është një hapësirë, një kohë për ta shpëtuar vendin”- tha Boluarte.
Zinxhiri dramatik i ngjarjeve të së mërkurës filloi me adresimin e presidentit Castillo në televizionin kombëtar, në të cilin ai e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Ai njoftoi se do ta shpërndante Kongresin e kontrolluar nga opozita. Kjo masë tmerroi shumë figura në Peru – disa ministra dhanë dorëheqje – dhe jashtë vendit.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese e akuzoi atë për fillimin e përpjekjes për puç, ndërsa Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Castillos që ta kthente prapa vendimin e tij.
Pas këtij njoftimi, Kongresi organizoi një seancë urgjente dhe mbajti votim për shkarkimin e Castillos. Rezultati ishte dërrmues: 101 deputetë votuan për shkarkimin e tij, vetëm gjashtë ishin kundër, ndërsa dhjetë të tjerë abstenuan.
