Pas dorëheqjes së Castex, Macron mund të emërojë një grua për kryeministre të Francës - NACIONALE

Pas dorëheqjes së Castex, Macron mund të emërojë një grua për kryeministre të Francës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Vendimi i Jean Castex për të dhënë dorëheqje i lejon presidentit të zgjedhë ekipin e ri mes një peizazhi politik të ndryshuar.

Emmanuel Macron pritet të shpallë një kryeministër të ri në ditët në vijim, pasi ai do të fokusohet në zgjedhjet legjislative në qershor, pas fitores së tij ndaj Marine Le Pen në balotazhin presidencial të së dielës.

Kryeministri, Jean Castex, ka thënë se do të japë dorëheqje së bashku me qeverinë, duke e lejuar Macron të zgjedhë një fytyrë dhe ekip të ri për mandatin e tij të dytë pesëvjeçar.

Castex , më 19 prill, u shpreh se ai dhe qeveria e tij do të jepte dorëheqjen nëse Emmanuel Macron rizgjedhet president, në një përpjekje për të dhënë një "nxitje të re" përpara zgjedhjeve parlamentare në qershor.

“Nëse zoti Macron rizgjidhet, në ditët në vijim, siç është traditë, unë do t'i paraqes presidentit dorëheqjen time dhe të qeverisë", është shprehur Castex për radion France Inter.

Sa i përket postit të mbetur bosh, analistët sugjerojnë se Macron mund të emërojë Élisabeth Borne, ministren e Punës, si kryeministre - gruaja e dytë në Francë që do të mbajë këtë post.

Edhe përpara se të shpallej se Macron ishte rizgjedhur president të dielën, vëmendja ishte kthyer në ciklin e ardhshëm elektoral. Ai do të ketë nevojë për partinë e tij, La République en Marche!, dhe aleatët e saj për të arritur një shumicë, në mënyrë që të shmanget formimi i një qeverie armiqësore që mund të paralizojë programin e tij.

Detyra e emërimit të një kryeministri dhe kabineti të ri është bërë veçanërisht e ndërlikuar pasi Macron do të përpiqet të tërheqë votuesit e së majtës radikale që mbështetën Jean-Luc Mélenchon në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, duke shmangur largimin e mbështetësve të Le Pen.

Macron po përballet me kërkesat për të treguar se është president i "të gjithë francezëve" pasi fitoi 58.54% - krahasuar me 41.46% të Le Pen, në votimin e raundit të dytë të së dielës.

Fitorja e tij do të konfirmohet zyrtarisht nga Këshilli Kushtetues i vendit të mërkurën.

Lajme të ngjashme