Pas disa vetëvrasjeve, flasin ushtarët e aeroplanmbajtëses amerikane: Ishte e pabanueshme
Oficeri komandues po qëndronte para detarëve të ekipit të sigurisë të aeroplanmbajtëses “USS George Washington”. Një koleg i tyre, Xavier Sandor, ia mori jetën vetes pak javë më parë, në mesin e prillit, dhe kapiteni kishte zbritur që të fliste me rreth 110 burra e gra të reja, të cilët kishin punuar ngushtë me të.
CNN
Biseda me kapitenin Brent Gaut zgjati dy orë, sipas katër detarëve që morën pjesën në të dhe që folën me televizionin “CNN”. Gjatë bisedës, kapiteni e pranoi atë që detarët e kishin ndier me muaj. Ai tha se ekuipazhi ishte kthyer në aeroplanmbajtëse shumë herët, por se ishte shumë vonë për t’u tërhequr.
Një detar tjetër i tha televizionit amerikan se kapiteni Gaut kishte folur para rreth dy muajve përmes sistemit të informimit në anijen gjigante dhe kishte thënë se aeroplanmbajtësja, që po i nënshtrohej një procesi të gjerë të riparimit, nuk ishte e gatshme që detarët të kthehen në të, kur kishte nisur procesi, verën e kaluar. Megjithatë, ai tha: “Tash nuk ka kthim prapa. Ne s’mund ta ndryshojmë drejtimin."
Situata në këtë aeroplanmbajtëse mori vëmendje kombëtare, kur tre detarë vdiqën nga vetëvrasja brenda një jave muajin e kaluar. Dymbëdhjetë pjesëtarë dhe ish-pjesëtarë të ekuipazhit, që folën me televizionin “CNN”, e përshkruan gjendjen shqetësuese të anijes me mori problemesh, përfshirë ato që shumë detarë i cilësuan si standarde të tmerrshme të strehimit në anijen që, praktikisht, ishte kantier ndërtimi, shqetësimet për cilësinë e ushqimit dhe përshtypjen se udhëheqësia nuk ishte duke i trajtuar problemet dhe se po i shpërfillte ankesat.
Për këto nuk ishin vdekjet e vetme në aeroplanmbajtëse gjatë kohës që ajo mbetej e ankoruar në kantierin detar të qytetit Newport News në Virxhinia. Anija, që funksionon me energji bërthamore, ishte duke iu nënshtruar proceseve të rimbushjes dhe kontrollit të përgjithshëm që nga vera e vitit 2017. Procesi, që fillimisht pritej të zgjaste katër vjet, ishte shtyrë disa herë, të paktën deri në marsin e vitit 2023, thanë forcat detare.
“Kushte të tmerrshme”
Të gjithë detarët, që u pajtuan të flisnin me televizionin “CNN”, thanë se anija ishte e pabanueshme. Detarët filluan që të vendoseshin në aeroplanmbajtëse para rreth një viti, pasi anija tashmë ishte në proceset e rimbushjes dhe të kontrollit të përgjithshëm për katër vjet dhe duhej të ishte gati që t’i strehonte disa pjesë të ekuipazhit. Edhe pas disa vjetëve punë për ta përgatitur anijen për misionin e radhës, ajo mbeti zonë ndërtimi ditë e natë. Shpesh, sfidat e banimit në anije i goditën më së shumti detarët më të rinj.
Shumica e detarëve folën në kushte anonimiteti nga frika për pasoja për karrierën e tyre ose të miqve të tyre në forcat detare.
Në 12 muajt e kaluar, në ekuipazhin e luftanijes “USS George Washington” kanë ndodhur shtatë vdekje, nga të cilat ishin të paktën katër vetëvrasje, thanë forcat detare. Xavier Sandor, që punonte në sigurimin e anijes, sipas atyre që e njihnin, ia mori vetes jetën më 15 prill. Kjo ishte vetëvrasja e trete brenda një jave në ekuipazhin e anijes.

Detari, Xavier Sandor, me prindërit e tij
Babai i tij, John Sandor, tha se i biri i tij ishte krenar që u ishte bashkuar forcave detare menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme, duke i ndjekur hapat e prindit. Megjithatë, ai i kishte thënë një herë babait se kushtet në anije ishin të tmerrshme.
“Si fle në një aeroplanmbajtëse me goditje të shkatërruesit (i njohur si hillti), me tym e me aroma gjatë ditës? Ai flinte në veturën e tij. Asnjë detar nuk do të duhej të jetonte në atë anije në ato kushte”, tha babai i detarit që bëri vetëvrasje muajin e kaluar.
Detarët thanë se ishte pothuajse e pamundshme që të gjendej një vend i qetë për të fjetur në aeroplanmbajtëse dhe se aty kishte ndërprerje rryme e mungesë të ujit të ngrohtë. Në kabina shpesh mungonte ajrosja, thanë detarët, dhe struktura masive metalike e anijes e rriste temperaturën që ishte jashtë derisa bëhej e padurueshme.
Një tjetër detar tha: “Banoja në veturën time gjatë dimrit dhe prapë, më dukej më mirë se në kabinën time." Detari, që thotë se ishte 19 vjeç në atë kohë, ishte i tmerruar nga kushtet në anije, larg nga pritjet e tij për atë se si ishte jeta në forcat detare. Ai thotë se banoi në veturë për rreth tri javë, derisa u mësua me kufizimet e aeroplanmbajtëses.
“Ky është bash fundi”, i tha ai televizionit “CNN”, duke folur për situatën në aeroplanmbajtësen “USS George Washington”.
Këtë javë, oficeri komandues njoftoi se rreth gjysma e mbi 400 anëtarëve të ekuipazhit të aeroplanmbajtëses do të vendosen në vendstrehim të përkohshëm jashtë anijes. Edhe të tjerëve, që e dëshirojnë të njëjtën gjë, do t’u ofrohet kjo mundësi. Të gjithë detarët, që folën me televizionin “CNN”, u pajtuan se ky është veprim i duhur.
I pyetur nëse forcat detare janë të vetëdijshme se anëtarët e ekuipazhit po flinin në vetura në vend të anijes, zëdhënësi i Forcave Ajrore Detare të Atlantikut, Robert Myers tha se secilit detar i ofrohen mjetet e strehimit dhe se forcat detare do të shikojnë nëse kushtet e strehimit kanë qenë faktor i vetëvrasjeve.
Përktheu: Nasuf Abdyli, Gazeta Nacionale