Pas bisedimeve sekrete, Gjermania i rinis dëbimet në Afganistan
Gjermania tha të premten se e ka rinisur dëbimin e kriminelëve të dënuar me shtetësi afgane për në atdheun e tyre, përderisa Berlini po e ndryshon politikën me të cilën hiqej dorë nga dëbimi i njerëzve në shtetin e udhëhequr nga talibanët.
Koalicioni qeveritar në Gjermani është vënë nën trysni për të marrë pozicion më të ashpër ndaj migrimit pas një sulmi vdekjeprurës me thikë që është ndërlidhur me ISIS-in në një festival para një jave dhe pasi një burrë afgan theri për vdekje një polic gjerman në qershor, raporton agjencia “Reuters”.
Revista “Spiegel” raportoi se një aeroplan me destinacion Kabulin u nis të premten herët nga Leipzigu me 28 kriminelë të dënuar pas disa muajve bisedime sekrete me Katarin si ndërmjetës.
Qeveria gjermane tha në një deklaratë se i falënderon “partnerët rajonalë kyçë” për mbështetjen e tyre dhe shtoi se është duke u punuar për më shumë dëbime të tilla.
Berlini e kishte ndërprerë dëbimin e njerëzve në Afganistan për shkak të shqetësimeve rreth të drejtave të njeriut pas rikthimit të talibanëve në pushtet më 2021. Në dy shtete lindore gjermane, ku partia kundër emigrantëve, AfD, po del e para në anketa, të dielën do të mbahen zgjedhje.
Në qershor, Gjermania kishte thënë se ishte duke e shqyrtuar përsëri dëbimin e emigrantëve afganë që paraqisnin rrezik për sigurinë, pas vrasjes së policit në qytetin Manheim.
Zhvillimi i bisedimeve drejtpërdrejt me talibanët, disa prej zyrtarëve të të cilëve janë nën sanksione ndërkombëtare, shihet gjerësisht si problematik./Nacionale