Pas arrestimit, ndihmësi i Netanyahut po mbahet nën vëzhgim kundër vetëvrasjes
Eli Feldstein, ish-zëdhënës dhe ish-ndihmës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që është i dyshuar kryesor në aferën e rrjedhjes së dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit, të hënën u vu nën mbikëqyrje për parandalimin e vetëvrasjes në burgun ku po mbahet.
“Gardianët gjetën diçka në qelinë e të burgosurit të sigurisë që po mbahet në një burg në jug që e bëri të nevojshëm, në përputhje me udhëzimet e komandantit të burgut, transferimin e tij të menjëhershëm në një qeli ku ai do të mund të vëzhgohej për ta parandaluar vetëvrasjen” – thuhet në një deklaratë të shërbimit të burgjeve, pa u përmendur emri i të burgosurit, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Mediat izraelite e identifikuan Feldstein-in si i burgosuri që është transferuar dhe raportuan se rojat e burgut gjetën një rrip gome në qeli, të cilin ai do të mund ta përdorte për ta varur veten.
Të dielën, Zyra e Prokurorit të Shtetit e njoftoi gjykatën se synon që të ngrejë aktakuzë kundër Feldstein-it dhe kundër një të dyshuari tjetër kyç në këtë aferë.
Feldstein-i dhe i dyshuari tjetër, emri i të cilit nuk është publikuar, dyshohen për transferimin e të dhënave të klasifikuara për ta dëmtuar shtetin, grumbullimin e materialit të klasifikuar për ta dëmtuar shtetin dhe konspiracion për të kryer një krim, mes akuzave të tjera.
Feldstein-i dyshohet se ka zbuluar një dokument të klasifikuar në gazetën gjermane “Bild” me qëllim që ta ndryshojë diskursin publik për fatin e pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi në Gaza, që të fajësohej kreu tashmë i eliminuar i Hamasit, Yahya Sinwar, për ngërçin në bisedimet për lirimin e pengjeve dhe të krijohej përshtypja se protestat për lirimin e pengjeve ishin në dobi të Hamasit.
Sipas gjykatës, hetuesit besojnë se rrjedhja e dokumentit të klasifikuar e kishte potencialin për t’i shkaktuar dëm të rëndë sigurisë kombëtare, ndërsa ushtria izraelite ka ardhur në përfundimin se rrjedhja i ka dëmtuar qëllimin e luftës për lirimin e pengjeve si dhe operacionet e ushtrisë dhe të shërbimit të sigurisë “Shin Bet” në Gaza.
Netanyahu nuk është i dyshuar në rast./Nacionale