Pas akuzave për furnizim të Rusisë me armë, Ukraina godet me sanksione tri kompani kineze
Ukraina u vendosi sanksione të premten tri kompanive kineze, një ditë pasi presidenti Volodymyr Zelensky pretendoi se Kina ka qenë duke e furnizuar Rusinë me armë.
Ministria e Jashtme e Kinës të premten i kundërshtoi akuzat e presidentit ukrainas, duke i cilësuar si të pabaza. Edhe pse ka mbajtur marrëdhënie të ngushta ekonomike me Rusinë gjatë luftës trevjeçare të Moskës në Ukrainë, Kina është munduar që të paraqesë një imazh neutraliteti dhe mohon çfarëdo përfshirjeje në luftë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Administrata e Zelenskyt të premten publikoi një listë të përditësuar të entiteteve të sanksionuara. Në listën ku përfshihen edhe kompani ruse u përshkruan tri kompani si të regjistruara në Kinë: “Beijing Aviation and Aerospace Xianghui Technology Co. Ltd”, “Rui Jin Machinery Co. Ltd” dhe “Zhongfu Shenying Carbon Fiber Xining Co. Ltd”.
Aty nuk u dhanë hollësi për atë se pse këto kompani janë shtuar në listën e sanksioneve, me të cilat u ndalohet kompanive bërja e biznesit në Ukrainë dhe u ngrihen asetet në territorin e këtij shteti.
Ukraina eksportoi mallra në vlerë të 8 miliardë dollarëve në Kinë në vitin 2021, kryesisht lëndë të parë dhe prodhime bujqësore, ndërsa importoi nga Kina mallra në vlerë të gati 11 miliardë dollarëve, sipas Qeverisë së Ukrainës.
Të enjten, Zelensky u tha gazetarëve në Kiev se administrata e tij ka dëshmi që kompani kineze ishin duke e furnizuar Rusinë me ato që ai i përshkroi si artileri dhe barut dhe se entitete kineze janë duke prodhuar disa armë në territorin rus.
Megjithatë, presidenti ukrainas nuk paraqiti ndonjë dëshmi për pretendimin e tij.
Një javë më parë, Zelensky tha se shtetas kinezë po luftonin në anën e Rusisë në luftën me Ukrainën, përfshirë dy që ishin kapur. Një diplomat kinez u ftua në takim në Ministrinë e Jashtme të Ukrainës për të ofruar një sqarim.
Më vonë, zyrtarë ukrainas e amerikanë thanë se ata burra ishin bërë pjesë e luftës me nismë personale në këmbim të parave./Nacionale