Pas 56 vjetëve në pritje për t’u ekzekutuar, japonezi shpallet i pafajshëm - NACIONALE

Pas 56 vjetëve në pritje për t’u ekzekutuar, japonezi shpallet i pafajshëm

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një burrë 88-vjeçar, që ishte i dënuari me vdekje me pritjen më të gjatë në botë për t’u ekzekutuar, është liruar nga akuzat nga një gjykatë japoneze.

Iwao Hakamada, që kishte qenë në pritje të ekzekutimit për më shumë se gjysmë shekulli, ishte shpallur fajtor më 1968 për vrasjen e shefit, gruas dhe dy fëmijëve të tyre adoleshentë, raporton televizioni BBC.

Atij rishtazi i ishte ofruar një rigjykim pas dyshimeve se hetuesit mund t’i kishin kurdisur dëshmitë që çuan në dënimin e rëndë për vrasje të katërfishtë.

Vendimi i ri e sjell fundin e njërës prej sagave më të gjata e më të famshme ligjore në Japoni.

Rasti ka tërhequr interesim të gjerë të publikut. Rreth 500 persona ishin duke pritur për të siguruar një ulëse në sallën e gjykimit në Shizuoka të enjten.

Më 2014, Hakamada ishte liruar nga burgu dhe i ishte ofruar rigjykim nga një gjykatë japoneze, pasi avokatët mbrojtës kishin dëshmuar se ADN-ja nga njollat e gjakut që ishin gjetur në rrobat që gjoja ishin veshur nga vrasësi nuk përputhej me ADN-në e të dënuarit.

Prej asaj kohe, ai ka qenë duke jetuar nën përkujdesjen e motrës së vet për shkak të gjendjes së përkeqësuar mendore.

Procedurat e gjata ligjore nënkuptuan që u desh viti 2023 që rigjykimi të fillonte dhe deri të enjten në mëngjes që gjykatat të deklaronin nëse Hakamada do të lirohej nga akuzat apo do të ekzekutohej me varje.

Hakamada është vetëm i dënuari i pestë me vdekje që i është ofruar rigjykim në historinë e Japonisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Lajme të ngjashme