Partneri i kryeministres italiane nxit reagime për një koment rreth dhunimit
Partneri i kryeministres italiane, Giorgia Meloni, është akuzuar për fajësim të viktimave pas disa komenteve që i bëri për dhunimin seksual në një emision televiziv.
Andrea Giambruno, udhëheqës i programit “Diario del giorno” në televizionin “Rete 4”, po komentonte pas një rasti të dhunimit në grup të një gruaje në Palermo, në jug të Italisë, raporton agjencia “Reuters”.
“Nëse shkoni për të vallëzuar, keni çdo të drejtë për t’u dehur – nuk duhet të ketë asnjë lloj keqkuptimi dhe asnjë lloj problemi – por nëse i shmangni dehjen dhe humbjen e ndjenjave, mund ta shmangni edhe zhytjen në probleme të caktuara dhe të hasni në një ujk”- tha Giambruno në emisionin e tij të hënën në mbrëmje.

Politikanët e opozitës në Itali i dënuan komentet e partnerit të kryeministres Meloni.
“Unë i them Giambrunos se djemtë duhet të edukohen për të treguar respekt, e jo të mësohen vajzat për të qenë të suksesshme. Mësojuani atyre (burrave e djemve) vlerën e pëlqimit, e jo vajzave që të jenë syçela”- tha Cecilia D’Elia, senatore e Partisë Demokratike në opozitë.
Giambruno, karriera televizive e të cilit ka marrë hov që nga koha e ardhjes së Melonit në pushtet në tetorin e kaluar, tha se komentet e tij ishin nxjerrë nga konteksti për të krijuar një kundërthënie “surreale”.
“Unë nuk kam thënë që burrat janë të lirë për t’i dhunuar gratë që janë të dehura. Disa politikanë po kërcejnë në një titull të rremë mediash dhe po bëjnë thirrje për pezullimin tim, por për çfarë arsye? Që u kam thënë të rinjve që të mos marrin drogë?”- shtoi ai.
Meloni, e cila ka një vajzë me Giambrunon, nuk e ka komentuar këtë situatë.
Kjo nuk është hera e parë që komentet e Giambrunos kanë nxitur kundërthënie.
Në korrik, ai i tha ministrit të Shëndetësisë të Gjermanisë, Karl Lauterbach, që “të qëndronte në shtëpi, të qëndronte në Pyllin e Zi (mal në Gjermani)”, pasi ministri e kishte vënë në pikëpyetje zbatimin e turizmit drejt Evropës Jugore për shkak të valëve të ashpra të vapës.