Partia e Orbanit dorëzon projektligj për ndalimin e paradës së LGBT-së në Hungari
Partia në pushtet në Hungari të hënën dorëzoi në Kuvend një projektligj me të cilin do të ndalohej parada e komunitetit LGBT dhe do t’u shqiptoheshin gjoba organizatorëve dhe njerëzve që marrin pjesë në këtë ngjarje, të cilën Budapesti e ka mbajtur për tri dekada.
Kryeministri Viktor Orban i ka kritikuar pjesëtarët e komunitetit LGBT dhe në javët e fundit është zotuar se do ta shtypë financimin e jashtëm të mediave të pavarura, politikanëve opozitarë e organizatave joqeveritare në Hungari, duke e ngritur nivelin e fushatës para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Orbani, nacionalist që ballafaqohet me një sfidë të pashembullt nga një parti opozitare në rritje, i ka shtuar sulmet ndaj mediave dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBT që nga inaugurimi i presidentit amerikan, Donald Trump.
Me projektligjin e dorëzuar nga partia Fidesz do të ndalohej parada e komunitetit LGBT me arsyetimin se ajo do të mund të konsiderohej e dëmshme për fëmijët.
“Projektligji i propozuar e amendamentin ligjin me të cilin trajtohet e drejta e tubimit duke përcaktuar se ndalohet mbajtja e një tubimi që e shkel ndalimin e caktuar në ligjin për mbrojtjen e fëmijëve” – thuhet në legjislacionin e paraqitur nga partia në pushtet.
Në të gjithashtu thuhet se policia mund të përdorë kamera që i njohin fytyrat për të identifikuar njerëz që marrin pjesë në ngjarjen në të cilën pjesëmarrësit ecin nëpër Bulevardin “Andrassy”, rrugë e gjerë në qendër të Budapestit.
Orbani ka thënë se organizatorët as nuk duhet të lodhen që ta organizojnë paradën këtë vit. Organizatorët thonë se parada nuk paraqet rrezik ndaj fëmijëve dhe se liria e tubimit është e drejtë kushtetuese./Nacionale