Paramilitarët vranë mbi 30 njerëz në Sudan në një sulm të ri, thonë aktivistët - NACIONALE

Paramilitarët vranë mbi 30 njerëz në Sudan në një sulm të ri, thonë aktivistët

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një grup paramilitar në Sudan sulmoi një qytet në rajonin Darfur në perëndim të Sudanit, duke vrarë më shumë se 30 njerëz, tha një grup aktivistësh, në ofensivën më të re vdekjeprurëse ndaj një zone ku banojnë qindra mijëra njerëz të zhvendosur.

Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) dhe grupet militante aleate nisën të dielën një ofensivë në qytetin el-Fasher, kryeqytet provincial i provincës së Darfurit Verior, sipas Komiteteve të Rezistencës, grup aktivistësh. Dhjetëra njerëz të tjerë u plagosën gjatë sulmit, tha ky grup, i cili i përcjell zhvillimet në luftë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Forcat e Mbështetjes së Shpejtë e përtërinë sulmin e tyre të hënën, duke sulmuar me predha ndërtesa banimi dhe tregje të hapura në qytet, sipas grupit të aktivistëve. Nuk pati koment të menjëhershëm nga RSF-ja.

Qyteti el-Fasher, më shumë se 800 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Khartoum, është nën kontrollin e ushtrisë sudaneze, e cila ka luftuar kundër RSF-së që nga zhytja e Sudanit në luftë civile para më shumë se dy vjetëve, duke lënë të vrarë mbi 24 mijë njerëz, sipas Kombeve të Bashkuara, edhe pse aktivistët thonë se numri ka gjasa të jetë shumë më i lartë.

RSF-ja ka qenë duke u përpjekur që ta kapë qytetin el-Fasher qe një vit në mënyrë që ta kompletojë kontrollin e tërë rajonit të Darfurit. Nga ajo kohë, grupi paraushtarak ka kryer shumë sulme ndaj qytetit dhe ndaj dy kampeve me persona të zhvendosur e të prekur nga uria në periferinë e këtij vendbanimi.

Vlerësohet se në këtë qytet tani jetojnë mbi një milion njerëz, shumë prej të cilëve janë zhvendosur nga lufta e vazhdueshme dhe periudhat e tjera të dhunës në Darfur. Sulmet ndaj qytetit el-Fasher janë shpeshtuar muajve të fundit, pasi RSF-ja pësoi humbje në fushën e betejës në Khartoum dhe në zona të tjera urbane në pjesët lindore dhe qendrore të vendit./Nacionale

Lajme të ngjashme