Paralajmërim i zymtë i nënkancelarit Habeck: AfD-ja dëshiron që ta bëjë Gjermaninë si Rusinë - NACIONALE

Paralajmërim i zymtë i nënkancelarit Habeck: AfD-ja dëshiron që ta bëjë Gjermaninë si Rusinë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Nënkancelari dhe ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck, ka paralajmëruar se partia e së djathtës ekstreme, AfD (Alternativa për Gjermaninë), është duke planifikuar që ta shndërrojë vendin në shtet autoritar, të ngjashëm me Rusinë, duke i përkrahur kështu në mënyrë taktike thirrjet për ndalimin e kësaj partie me ligj.

Duke folur një javë pas një raportimi se disa anëtarë të AfD-së kishin marrë pjesë në një takim për diskutimin e dëbimeve masive, që dyshohet se do të përfshiheshin edhe shtetasit gjermanë, zyrtari i lartë qeveritar tha se rreziku që kjo parti e paraqet ndaj demokracisë është nënvlerësuar në masë serioze, raporton gazeta “The Guardian”.

Përderisa kaloi nata e pestë e protestave kundër AfD-së, me dhjetëra mijëra gjermanë që dolën rrugëve në disa qytete, Habeck-u duket se i përkrahu thirrjet për ta shpallur të paligjshme këtë parti, duke e theksuar edhe rrezikun që një masë e tillë ka gjasa që të kthehet bumerang, nëse dështon.

“Dëmi që një përpjekje e dështuar do të shkaktonte, do të ishte masiv. Prandaj, nëse ngrihet një rast, do të duhej që të qëndronte absolutisht 100 për qind në gjykatë. Është diçka që duhet shqyrtuar me shumë kujdes”- i tha revistës “Stern” politikani gjerman.

“Autoritarët e së djathtës janë të interesuar për një sulm ndaj thelbit të republikës. Ata duan që ta shndërrojnë Gjermaninë në një shtet si Rusia dhe po përgatiten për këtë në mënyrë sistematike”- shtoi ai.

AfD-ja ka kaluar te politikat djathtiste që nga themelimi më 2013 dhe ka gëzuar rritje të vazhdueshme të përkrahjes muajve të fundit, madje në disa raste i ka kaluar partitë e koalicionit qeveritar.

Të mërkurën, kancelari gjerman, Olaf Scholz, në rrjetin X shkroi: “Unë jam mirënjohës që dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë rrugëve të Gjermanisë ditëve të fundit për të protestuar kundër racizmit, nxitjes së tollovisë, dhe për demokracinë tonë liberale. Kjo na jep neve guxim dhe tregon: ka shumë më shumë nga ne demokratët se nga ata që synojnë të përçajnë.”

Lajme të ngjashme