Papës i shtrohet tepihu me 500-she në Portugali si protestë për koston e vizitës
Artisti i njohur portugez i rrugës, Bordalo II, ka bërë një veprim kreativ protestues rreth vizitës së Papa Françeskut në Portugali javën e ardhshme, duke shtruar një tepih me pamjen e bankënotave prej 500 eurosh për ta kritikuar koston që do ta paguajë shteti për organizimin e pritjes së mysafirit.
Papa do të qëndrojë në Lisbonë nga data 2 deri më 6 gusht për të marrë pjesë në tubimin global të katolikëve të rinj, ku pritet të marrin pjesë qindra mijëra pelegrinë, raporton agjencia “Reuters”.
Bordalo II, i njohur për veprat e tij me mesazhe politike e të punuara nga mbeturinat, publikoi fotografi e video të tepihut me pamjen e bankënotave 500-she, që ishte shtrirë në shkallë të enjten në protestën që ai e përshkroi si “ecja e turpit”.
“Në kohën kur shumë njerëz po luftojnë për t’i mbajtur shtëpitë e tyre, punën e tyre dhe dinjitetin e tyre, vlerë milionëshe e fondeve publike është investuar për ta sponsorizuar udhëtimin (e papës)”- tha artisti, emri i vërtetë i të cilit është Artur Bordalo.
Sipas vlerësimit zyrtar në janar, organizimi do të kushtojë 161 milionë euro, që do të paguhen nga qeveria, Kisha Katolike, këshilli i qytetit të Lisbonës dhe Louresit.
Disa figura publike dhe politikanë e kanë kritikuar shtetin portugez për sasinë e shpenzimeve, të cilat autoritetet në janar i vlerësuan në shkallën e 30 milionë eurove, përderisa miliona portugezë ballafaqohen me rritje të shpejtë të inflacionit.
Më herët këtë vit, kritikat e ashpra e detyruan këshillin e qytetit të Lisbonës për t’i zvogëluar shpenzimet për një altar për papën nga më shumë se pesë milionë euro në 2,9 milionë.
Kur u pyet për tepihun e artistit, kryetari i Lisbonës, Carlos Moedas, u tha gazetarëve se artisti e përdori zërin e tij për ta shprehur shqetësimin dhe se protesta të tilla janë normale për këto ngjarje.
