Pamjet satelitore tregojnë se Irani e ka nisur rindërtimin e qendrave të goditura nga Izraeli - NACIONALE

Pamjet satelitore tregojnë se Irani e ka nisur rindërtimin e qendrave të goditura nga Izraeli

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Irani e ka filluar rindërtimin e qendrave për prodhimin e raketave, të cilat ishin vënë në shënjestër nga Izraeli gjatë luftës 12-ditore në qershor, sipas pamjeve satelitore të siguruara nga agjencia e lajmeve “Associated Press”, por një përbërës kyç me gjasë po mungon ende – mikserët e mëdhenj që nevojiten për prodhimin e karburantit të ngurtë për këto armë.

Rindërtimi i programit bërthamor është jetik për Teheranin, i cili beson se mund të ndodhë një rund tjetër lufte me Izraelin. Raketat janë disa prej mjeteve të pakta parandaluese ushtarake të Iranit, pasi lufta ia dëmtoi rëndë sistemet e mbrojtjes ajrore – diçka për të cilën Teherani për një kohë të gjatë ka këmbëngulur se nuk do të përfshihen në bisedimet me Perëndimin, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Ekspertët e raketave i thanë agjencisë “Associated Press” se sigurimi i mikserëve është qëllim i Iranit, sidomos kur po përgatitet për sanksione të mundshme nga Kombet e Bashkuara, të cilat mund t’i rikthehen këtë muaj. Me këto sanksione do të penalizohej çfarëdo zhvillimi i programit raketor, mes masave të tjera. Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, pritet t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më vonë të mërkurën.

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj pyetjeve rreth përpjekjeve të vendit për rindërtimin e programit të vet raketor.

Raketat me karburant të ngurtë mund të hidhen më shpejt se ato me karburant të lëngshëm, të cilat duhet të mbushen pak para hedhjes. Kjo shpejtësi mund ta bëjë dallimin mes hedhjes së një rakete dhe shkatërrimit të saj – diçka që ndodhi gjatë luftës me Izraelin.

Lajme të ngjashme