Pamjet satelitore duket se e shfaqin dëmin e sulmit iranian në një bazë të Izraelit - NACIONALE

Pamjet satelitore duket se e shfaqin dëmin e sulmit iranian në një bazë të Izraelit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Disa pamje të reja satelitore të një baze ushtarake kyçe ajrore të Izraelit duket se shfaqin një vrimë të madhe në kulmin e një hangari të aeroplanëve, duke dhënë shenja për dëmin e shkaktuar nga një raketë e hedhur nga Irani të martën në sulmin masiv raketor ndaj Izraelit.

Fotografitë e bazës ajrore “Nevatim” në jug të Izraelit të mërkurën e paraqesin dëmin ndaj kulmit në një varg ndërtesash afër një piste. Copëza të mëdha të mbetjeve mund të shihen të shpërndara përreth ndërtesës.

Autoritetet ushtarake të censurimit dhanë leje për publikimin e kësaj fotografie, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Në bazën “Nevatim” mbahen aeroplanët më të avancuar të Forcës Ajrore të Izraelit, përfshirë aeroplanët luftarakë të prodhimit amerikan “F-35 Lightning II”.

Ushtria izraelite nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment për pamjet satelitore, por pranoi se disa prej bazave ajrore që janë goditur gjatë sulmit iranian.

Megjithatë, dëmi u cilësua “joefikas”, që do të thotë se nuk i ka dëmtuar operacionet e vazhdueshme të Forcës Ajrore Izraelite ose aeroplanët luftarakë, dronët, mjetet e tjera fluturuese, municionet ose infrastrukturën kritike.

Ndikimi i raketës dëmtoi ndërtesa zyrash dhe zona të mirëmbajtjes në baza, sipas ushtrisë.

Sulmi masiv iranian me rreth 180 raketa ndikoi që gati dhjetë milionë njerëz të futeshin në strehimore kundër bombave në mbarë vendin, përderisa predhat dhe raketat e mbrojtjes ajrore përplaseshin në qiell.

Ushtria izraelite tha se kishte penguar “një numër të madh” të tyre. Sipas ushtrisë, raketat e hedhura drejt Izraelit të martën nuk ishin hipersonike, siç kishte pretenduar Irani./Nacionale

Lajme të ngjashme