Pamje: Vullkani shpërthen dhe djeg shtëpi në Indonezi, së paku 10 të vdekur - NACIONALE

Pamje: Vullkani shpërthen dhe djeg shtëpi në Indonezi, së paku 10 të vdekur

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Të paktën dhjetë persona vdiqën, pasi vullkani në Malin Lewotobi Laki-laki, në lindje të Indonezisë, shpërtheu rreth mesnatës të dielën, duke nxjerrë lavë dhe duke i detyruar autoritetet që t’i evakuonin banorët e disa fshatrave, thanë të martën zyrtarët në shtetin e largët.

Vullkani që ndodhet në Ishullin Flores, shpërtheu të dielën në orën 23 e 57 minuta, duke nxjerrë lavë, hi vullkanik e gurë zjarri, tha të hënën Hadi Wijaya, zëdhënës i Qendrës për Zbutjen e Rrezikut Gjeologjik dhe Vullkaneve, raporton agjencia “Reuters”.

“Pas shpërthimit, pati ndërprerje të rrymës dhe më pas binte shi dhe kishte rrufe të madhe, që shkaktoi panik në mesin e banorëve” – i tha ai agjencisë “Reuters”, duke shtuar se autoriteti e kishte ngritur në nivelin më të lartë alarmin për kujdes.

Agjencia tha se duhet të pastrohet zona me rreze prej shtatë kilometrash përreth kraterit.

Lava dhe gurët i goditën vendbanimet më të afërta rreth katër kilometra nga krateri, duke djegur e dëmtuar shtëpi të banorëve, tha më tej zëdhënësi indonezian.

Deri të hënën pasdite, të paktën dhjetë njerëz kishin vdekur, tha zëdhënësi lokal, Heronimus Lamawuran, duke shtuar se shpërthimi i vullkanit kishte prekur shtatë fshatra.

“Ne e kemi filluar evakuimin e banorëve nga mëngjesi i sotëm për në fshatra të tjera që ndodhen rreth 20 kilometra larg kraterit” – tha ai.

Lajme të ngjashme