Pamje: Vërshohet Nju-Jorku, shpallet gjendje emergjente
Në qytetin e Nju-Jorkut të ShBA-së është shpallur gjendje emergjente pas një stuhie me reshje të dendura, që shkaktoi vërshime.
Shumë prej sistemeve të hekurudhës nëntokësore, rrugëve e autostradave janë vërshuar, ndërsa të paktën një terminal në Aeroportin “LaGuardia” u mbyll të premten para se të rihapej më vonë, raporton televizioni BBC.
Deri në 20 centimetra shi ra në disa pjesë të qytetit, por qielli u qetësua pak në mbrëmje. “Kjo është një stuhi e rrezikshme, që e kërcënon jetën”- tha guvernatorja e Nju-Jorkut, Kathy Hochul.
“Po e shpall gjendjen emergjente në mbarë qytetin e Nju-Jorkut, në Ishullin e Gjatë dhe në Ultësirën e Hudsonit për shkak të reshjeve ekstreme të shiut që po i shohim në mbarë rajonin”- shkroi ajo në rrjetin X.
Guvernatorja u bëri thirrje njerëzve që të marrin masa për të qëndruar të sigurt dhe “kurrë të mos provojnë që të udhëtojnë nëpër rrugë të vërshuara”.
Nuk është raportuar për lëndime kritike apo të vdekur. Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur edhe në qytezën Hoboken në New Jersey, matanë Lumit Hudson, afër Nju-Jorkut.
Në qytetin e Nju-Jorkut, kryetari Eric Adams i paralajmëroi njerëzit se ishte koha për “syhaptësi të shtuar e kujdes të skajshëm” pas hyrjes në fuqi të gjendjes emergjente.
“Disa nga hekurudhat tona nëntokësore janë vërshuar dhe është tepër vështirë që të lëvizet nëpër qytet”- tha ai në një konferencë për gazetarë.
Të premten në mbrëmje, ai tha në televizionin CBS se autoritetet kanë kryer 15 raste të shpëtimit të njerëzve nga veturat dhe tri shpëtime nga banesat në kate të poshtme.