Pamje: Trumpi hip në një kamion të mbeturinave, por mezi e rroku dorezën e derës - NACIONALE

Pamje: Trumpi hip në një kamion të mbeturinave, por mezi e rroku dorezën e derës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zbriti nga aeroplani “Boeing 757”, që e mban emrin e tij, eci nëpër një pistë të lagur nga shiu dhe, pasi nuk arriti dy herë që ta kapte dorezën e derës, hipi në ulësen e pasagjerit të një kamioni të bardhë për grumbullimin e mbeturinave, që gjithashtu e mbante emrin e tij.

Ish-presidenti deshi që të merrte vëmendje për komentet e bëra një ditë më parë nga pasardhësi i tij në Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden, i cili la të kuptohej se përkrahësit e Trumpit janë bërllok, raporton agjencia “Associated Press”.

“Si ju duket kamioni im i mbeturinave? Ky është për nder të Kamalës dhe Joe Bidenit” – tha Trumpi, që kishte veshur një jelek të portokalltë me vija të verdha e të hirta mbi këmishën e bardhë e kravatën e kuqe.

Të mërkurën, presidenti Biden tha: “Mbeturinat e vetme që po i shoh duke qëndruar mbi ujë janë përkrahësit e tij [Trumpit].” Trumpi dhe republikanët e tjerë po ballafaqoheshin me reagime për komentet e një humoristi në një tubim të fundjavës, i cili e përshkroi Puerto-Rikon si “ishull mbeturinash që qëndron mbi ujë”.

Të enjten, pasi arriti në Green Bay, në Wisconsin, për një tubim të mbrëmjes, Trumpi hipi në kamionin e mbeturinave, duke ndërruar disa fjalë me reporterët përderisa shikonte nga dritarja.

Ai përsëri u mundua që të distancohej nga komediani Tony Hinchcliffe, shakaja e të cilit e kishte nxitur fillimin e përplasjes, por ish-presidenti nuk e dënoi talljen. Ai gjithashtu tha se nuk ka nevojë që t’u kërkojë falje banorëve të Puerto-Rikos.

Lajme të ngjashme