Pamje të rënda: Shtatë tifozë të PAOK-ut vdesin në aksident trafiku me një kamion
Të shtatë njerëzit që vdiqën në aksidentin e rëndë të trafikut të martën në Rumani, ku një kamion u përplas ballë për ballë me një minibus ku ndodheshin tifozë të klubit grek të futbollit, PAOK, ishin mbështetës të këtij ekipi, ka konfirmuar Ambasada e Greqisë në Bukuresht.
Minibusi, në të cilin ndodheshin dhjetë pasagjerë, ishte nisur nga Greqia për në Francë, ku tifozët planifikonin që ta shikonin në stadium ndeshjen futbollistike mes PAOK-ut dhe klubit francez, Lyon, raporton mediumi grek, “Ekathimerini”.
Tre personat e lënduar janë me vetëdije dhe janë transferuar në Spitalin Universitar të Timisoaras, rreth 100 kilometra në perëndim të vendit të aksidentit, ku mjekët pritet që të kenë një pasqyrë më të qartë të gjendjes së pacientëve në orët në vijim.
Agjencia shtetërore greke e lajmeve, AMNA, raportoi se kryeteari i qytetit Alexandria, Panagiotis Girinis, tha se tri prej viktimave ishin nga ky vendbanim, ndërsa një tjetër nga Pieria. Ai shtoi se viktimat nga Alexandria ishin të moshës 25 deri 27-vjeçare.
Në një video nga kamera që ndodhej në një automjet tjetër shihet minibusi duke e tejkaluar automjetin para se të përplasej ballë për ballë me një kamion të gjatë mallrash rreth orës 13:00.
Aksidenti ndodhi në autostradën E70 mes qytezave Caransebes dhe Lugojel, në pjesën perëndimore të Rumanisë.
Paralajmërim: Pamjet e mëposhtme nuk rekomandohen për personat e ndjeshëm!
Koliko jeziv snimak pogibije 7 navijača Paoka, Bog da im dušu prosti. https://t.co/4MAEgXBhVE
— 🐺ARES 011🐺 (@Aleksan86668219) January 27, 2026