Pamje: Surfisti e sfidon valën gjigante në ShBA, por jo deri në fund
Surfistët më të mirë në botë për valë të larta po shkojnë në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara për ta shfrytëzuar trazimin e detit në kohën e një prej stuhive më të fuqishme në bregdetin perëndimor të ShBA-së viteve të fundit.
Surfistë nga Brazili, Franca e Portugalia kanë arritur në Mavericks, në jug të San Franciskos, për t’i sfiduar muret gjigante të ujit, raporton televizioni BBC.
Ata kanë rrëshqitur nëpër valë të larta deri në 21 metra. Zyrtarët i kanë paralajmëruar shikuesit që të qëndrojnë larg bregdetit, pasi disa janë lënduar nga valët.
Chris Cuvelier, i cili e menaxhon garën “Maverick Surf Awards” dhe që mund t’i shohë valët nga dritarja e kuzhinës së tij, i tha BBC-së të premten se “njerëzit kanë ardhur me aeroplanë nga e tërë bota” për të bërë surfing në zonën e njohur këtë javë.
Parashikuesit e motit kanë lëshuar paralajmërime për rrezik të ri, pasi një valë kaploi këmbësorë dhe preku një hotel në Ventura të Santa Cruzit.