Pamje si në GTA në ShBA: Rrëmbehet autobusi me udhëtarë, pason ndjekja masive - NACIONALE

Pamje si në GTA në ShBA: Rrëmbehet autobusi me udhëtarë, pason ndjekja masive

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kjo skenë mund t'u duket e njohur atyre që si fëmijë dhe të rinj e kanë luajtur lojën elektronike, "GTA Vice City", por jo, është ngjarje e vërtetë. Një person u qëllua për vdekje në lidhje me një rrëmbim autobusi që nxiti ndjekje masive nga policia në dy distrikte të shtetit Georgia, thanë autoritetet.

Incidenti ndodhi rreth orës 16 e 35 minuta në qendër të qytetit Atlanta, kur policia iu përgjigj një raportimi për të shtëna me armë zjarri në një autobus dhe për një “situatë të mundshme me pengje”, tha Departamenti i Policisë në Atlanta, raporton televizioni “ABC News”.

“Pas arritjes së oficerëve në vendin e ngjarjes, autobusi iku nga lokacioni dhe pasoi ndjekja” – thuhet në komunikatën për shtyp.

I dyshuari e kërcënonte shoferin e autobusit me armë gjatë rrëmbimit, tha kryetari i qytetit, Andre Dickens.

Sipas komandantit të policisë, Darin Schierbaum, në autobus ndodheshin 17 persona në kohën e rrëmbimit, përfshirë shoferin.

Gjatë ndjekjes, policia pranoi një thirrje urgjente nga një anëtar i familjes së një pasagjeri në autobus “që thoshte se po pranonte mesazhe se kishte ndodhur një rrëmbim dhe se individë po mbaheshin peng kundër vullnetit të tyre” – tha komandanti lokal i policisë para gazetarëve të martën në mbrëmje.

Më pas, policia pranoi një telefonatë tjetër urgjente nga autobusi, e cila mbeti e hapur gjatë ndjekjes dhe ofroi të dhëna që ndihmuan që “të sillej fundi i kësaj situate me pengje” – shtoi Schierbaum.

Policia tha se gjatë ndjekjes së autobusit zbatoi taktika të ndryshme. Autobusi përfundimisht u bë i palëvizshëm nga një automjet i njësisë speciale SWAT në distriktin DeKalb, rreth 25 kilometra nga vendi i fillimit të incidentit, tha policia.

I dyshuari, burrë 39 vjeçar, u dërgua në mbajtje pa ndonjë incident tjetër, tha policia.

Lajme të ngjashme