Pamje: Shpërthen një vullkan në Islandë, nxjerr lavë e tym - NACIONALE

Pamje: Shpërthen një vullkan në Islandë, nxjerr lavë e tym

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një vullkan në jugperëndim të Islandës ka shpërthyer, duke nxjerrë lavë e tym në një zonë të gjerë pas disa javëve me aktivitet të shtuar të dridhjeve, ka thënë Zyra Meteorologjike e Islandës.

Nga frika për përhapje të konsiderueshme të ndikimit në Gadishullin Reykjanes, autoritetet kishin evakuuar gati katër mijë banorë të qytezës Grindavik në nëntor, pasi zona ishte goditur nga më shumë se një mijë tërmete për 24 orë, raporton gazeta “The Guardian”.

Shpërthimi i vullkanit nisi rreth orës 23 e 17 minuta pas një vargu të tërmeteve të dobëta rreth orës 22, shtoi Zyra Meteorologjike.

Kryeministrja e Islandës, Katrin Jakobsbottir, tha se mendimet e saj janë me njerëzit në Grindavik “që tash e shohin tokën duke u hapur”.

“Mendimet tona janë me njerëzit lokalë si më parë, ne shpresojmë për më të mirën, por mund të jetë e qartë se ky është goxha shpërthim. Është me rëndësi që t’u jepet hapësirë punëtorëve të emergjencës që ta bëjnë punën e tyre dhe të ndiqen udhëzimet në trafik”- shtoi ajo.

Çarja në sipërfaqe është e gjatë rreth 3,5 kilometra dhe është rritur shpejt, thuhet në njoftimin e Zyrës Meteorologjike.

Ministri i Jashtëm i Islandës, Bjarne Benediktsson, tha në rrjetin X se “nuk ka pengesa ndaj fluturimeve për në Islandë dhe nga Islanda dhe korridoret për fluturime ndërkombëtare mbeten të hapura”.

Në Gadishullin Reykjanes viteve të fundit ka pasur disa shpërthime vullkani në zona të pabanuara, por shpërthimi i ri do të mund të paraqiste rrezik për qytezën Grindavik, kanë thënë autoritetet.

Lajme të ngjashme