Pamje: ShBA-ja nis aeroplan hapësinor me mision sekret që pritet të zgjasë disa vjet
Aeroplani hapësinor i ushtrisë amerikane, X-37B, u nis drejt qiellit të enjten për një mision tjetër sekret që pritet të zgjasë të paktën disa vjet.
Si misionet e kaluara, edhe ky aeroplan mori me vete eksperimente të klasifikuara. Brenda tij nuk ndodhet asnjë njeri, raporton agjencia “Associated Press”.
Aeroplani hapësinor u nis përmes raketës “Heavy Falcon” të kompanisë “SpaceX” nga Qendra Hapësinore “Kennedy” e NASA-s gjatë natës, më shumë se dy javë me vonesë për shkak të problemeve teknike.
Ky është fluturimi i shtatë i aeroplanit X-37B, që ka kaluar më shumë se dhjetë vjet në orbitë që nga debutimi më 2010.
Fluturimi i fundit, më i gjati deri më tani, zgjati dy vjet e gjysmë para se të përfundonte në një pistë të qendrës “Kennedy” para një viti.
Zyrtarët e Forcës Hapësinore të ShBA-së nuk kanë treguar se sa do të qëndrojë në qiell aeroplani dhe çfarë ka brenda tij, pos duke thënë që është një eksperiment i NASA-s për t’i matur efektet e rrezatimit ndaj materialeve.