Pamje: Rusia e mban paradën e “Ditës së Fitores”, presidenti i Kinës krahas Putinit
Rusia po e shënon të premten 80-vjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Duke iu drejtuar ushtrisë ruse, veteranëve e më shumë se 20 udhëheqësve ndërkombëtarë, përfshirë presidentin e Kinës, Xi Jingping, Putini tha se Rusia i mban në mend mësimet e Luftës së Dytë Botërore, raporton televizioni BBC.
Ai e shfrytëzoi fjalimin për ta lidhur konfliktin global të viteve të 40-a me luftën e sotme kundër Ukrainës dhe tha se tërë Rusia qëndron prapa atij që e quajti “operacion special ushtarak”, i cili tashmë ka hyrë në vitin e katërt.

Masa të ashpra kufizuese u zbatuan në qendër të Moskës në ditën e shënimit të fitores në Luftën e Dytë Botërore.
Para fjalimit të Putinit dhe një minute heshtjeje, komandanti i forcave tokësore, Oleg Salyukov, drejtoi 11 mijë trupa në Sheshin e Kuq, përfshirë rreth 1.500 që kanë luftuar në Ukrainë. Ata më pas u inspektuan nga ministri i Mbrojtjes, Andrei Belousov.
Putini këmbënguli se Rusia “ka qenë dhe do të jetë pengesë e pashkatërrueshme kundër nazizmit, rusofobisë e antisemitizmit”. Presidenti rus në mënyrë të përsëritur e të pasaktë i është referuar udhëheqësisë së Ukrainës si naziste.
“E vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë” – tha kreu i Kremlinit, duke këmbëngulur se “i tërë vendi, shoqëria dhe populli i mbështet pjesëmarrësit” në luftën e Ukrainës.
Rusia thotë se 27 udhëheqës botërorë po marrin pjesë në shënimin e përvjetorit të fitores. Në mesin e tyre është edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.