Pamje: Përplasen mes vete anijet e rojës bregdetare të Kinës dhe ato të Filipineve
Dy anije të rojave bregdetare të Kinës dhe Filipineve u përplasën të hënën gjatë një ballafaqimi afër një cekëtine të kontestuar në Detin Jugor të Kinës, thanë autoritetet e të dyja vendeve.
Të dyja shtetet aziatike e fajësuan njëra-tjetrën për incidentin që ndodhi afër Cekëtinës Sabina, raporton gazeta “The Guardian”.
Kina dhe Filipinet kanë pasur ballafaqime të përsëritura në rrugën kritike ujore muajve të fundit, përfshirë ato përreth një luftanije që qëndron në vend me vite. Pekini ka vazhduar që t’i shtyjë përpara pretendimet e veta në pothuajse tërë territorin e Detit Jugor të Kinës pavarësisht nga një vendim i tribunalit ndërkombëtar që thotë se pohimet e Kinës nuk kanë bazë ligjore.
Zëdhënësi i rojës bregdetare të Kinës, Geng Yu, tha se një anije filipinase ishte “përplasur qëllimisht” me një anije kineze të hënën herët.
“Anijet e rojës bregdetare të Filipineve… ilegalisht hynë në ujërat afër Damarit Xianbin në Ishujt Nansha pa leje nga qeveria kineze” – tha zëdhënësi Yu, duke i përdorur emrat kinezë për Cekëtinën Sabina dhe Ishujt Spratly.
“Roja bregdetare e Kinës mori masa kontrolli kundër anijeve të Filipineve në përputhje me ligjin” – shtoi zëdhënësi kinez.
Në anën tjetër, Task-forca Kombëtare në Detin Perëndimor të Filipineve tha se dy anije të rojës bregdetare të saj ishin dëmtuar gjatë përplasjeve me anijet kineze që po kryenin “manovra të paligjshme dhe agresive” afër Cekëtinës Sabina.
Ballafaqimi “rezultoi në përplasje që shkaktoi dëm strukturor në të dyja anijet e Rojës Bregdetare të Filipineve” – thanë autoritetet filipinase.
Kina pretendon se Cekëtina Sabina është në territorin e saj, edhe pse ajo pjesë ndodhet më shumë se 1 mijë kilometra larg tokës më të afërt masive kineze, ishullit Hainan.
Manila dhe Pekini kanë stacionuar anije të rojave bregdetare përreth cekëtinës së kontestuar muajve të fundit. Filipinet kanë frikë se Kina do të ndërtojë një ishull artificial atje./Nacionale