Pamje: Pas suksesit në Hënë, India e nis misionin e parë drejt Diellit - NACIONALE

Pamje: Pas suksesit në Hënë, India e nis misionin e parë drejt Diellit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

India të shtunën e nisi misionin e parë vëzhgues të saj drejt Diellit, disa ditë pas hyrjes në histori duke u bërë shteti i parë që lëshoi sondë afër polit jugor të Hënës.

Misioni “Aditya-L1” u nis me raketë në Sriharikota të shtunën në orën 11 e 50 minuta sipas kohës lokale. Ky mision do të udhëtojë 1,5 milion kilometra larg Tokës – që është vetëm 1 për qind e largësisë mes Tokës dhe Diellit, raporton televizioniBBC.

Sipas agjencisë indiane të hapësirës, misionit do t’i nevojiten katër muaj për ta arritur destinacionin e vet.

Porsa misioni të arrijë në vendin ku do të ndalet, objekti do të mund të bëjë orbitë rreth Diellit me ritmin e njëjtë si Toka. Kjo nënkupton se satelitit do t’i nevojitet shumë pak karburant për të operuar, sepse do të qëndrojë në një pikë ku forcat gravitacionale të Diellit dhe të Tokës e zhbëjnë njëra-tjetrën.

Të shtunën në mëngjes, disa mijëra njerëz u grumbulluan në vendin e caktuar për ta shikuar nisjen e misionit.

Procesi u transmetua drejtpërdrejt në televizionin kombëtar, ku komentuesit e përshkruan atë si “nisje madhështore”. Shkencëtarët indianë thanë se nisja ka qenë e suksesshme dhe performanca e saj ka qenë normale.

Anija kozmike tani do të udhëtojë disa herë rreth Tokës para se të niset drejt pikës më afër Diellit.

Agjencia indiane e hapësirës nuk ka treguar se sa do të kushtojë misioni, por sipas raportimeve në mediat indiane, bëhet fjalë për rreth 46 milionë dollarë.

Hulumtimet që pritet të bëhen me ndihmën e këtij misioni do t’i ndihmojnë shkencëtarët që t’i kuptojnë aktivitetet diellore, si era diellore dhe shpërthimet diellore, si dhe efektin e tyre ndaj Tokës.

Lajme të ngjashme