Pamje: Nacionalistët turq sulmojnë dy marinsa amerikanë në Turqi - NACIONALE

Pamje: Nacionalistët turq sulmojnë dy marinsa amerikanë në Turqi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një organizatë e të rinjve nacionalistë turq të hënën sulmoi dy marinsa amerikanë në pjesën perëndimore të Turqisë, thanë ambasada e ShBA-së atje dhe zyra e guvernatorit rajonal, duke shtuar se për këtë incident policia ka ndaluar 15 persona.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, iu tha gazetarëve të martën se ky sulm është “çështje serioze” dhe se Uashingtoni i vlerëson veprimet e policisë turke, raporton agjencia “Reuters”.

Në një deklaratë, zyra e guvernatorit të Izmirit tha se Unioni i Rinisë Turke (TGB), krah rinor i partisë nacionaliste opozitare, Vatan, “i sulmuan fizikisht” dy amerikanët që ishin me rroba civile në distriktin Konak.

Më tej, në deklaratë thuhet se pesë pjesëtarë të personelit amerikan u përfshinë në rast, pasi e kishin parë incidentin, dhe se policia ndërhyri. Të gjithë 15 sulmuesit janë ndaluar dhe një hetim është nisur për rastin, tha zyra e guvernatorit.

Edhe ambasada amerikane në Turqi e konfirmoi sulmin ndaj dy marinsave, duke shtuar se personeli i ShBA-së tashmë ishte i sigurt.

“Ne mund t’i konfirmojmë raportimet se anëtarë të shërbimit të ShBA-së, të angazhuar në anijen “USS Wasp”, ishin viktima të një sulmi në Izmir sot, dhe tani janë të sigurt” – tha ambasada përmes një shkrimi në platformën X.

Lajme të ngjashme