Pamje: Minibusi bie në humnerë e shkakton zjarr në pyll në Meksikë, 12 të vdekur - NACIONALE

Pamje: Minibusi bie në humnerë e shkakton zjarr në pyll në Meksikë, 12 të vdekur

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dymbëdhjetë njerëz vdiqën dhe katër të tjerë u lënduan në pjesën veriore të Meksikës të dielën, pasi një minibus ra në një grykë dhe u kaplua nga zjarri, duke shkaktuar flakë në pyllin përreth vendit të ngjarjes, thanë autoritetet meksikane.

Aksidenti ndodhi në shtetin verior meksikan, Nuevo Leon, i cili kufizohet me Shtetet e Bashkuara, jo shumë larg kryeqytetit rajonal Monterrey, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

David de la Pena, kryetar i komunës Santiago, tha në një video-mesazh të shkurtër se aksidenti duket se ishte shkaktuar nga një dështim mekanik në automjet.

Minibusi, i cili ra për gati 120 metra në humnerë, po bartte 16 njerëz, thanë autoritetet shtetërore. Nuk pati të dhëna të menjëhershme për prejardhjen e pasagjerëve dhe nëse në këtë numër përfshihej edhe vozitësi.

Përderisa disa njerëz vdiqën në vendin e ngjarjes, të tjerë u dërguan në spital, ku u ndanë nga jeta më vonë.

Në pamje të publikuara nga autoritetet shihet tymi duke dalë nga një pyll i thatë, ku zjarri ishte përhapur shpejt, dhe një helikopter që po punonte për t’i shuar flakët.

Autoritetet shtetërore vlerësuan se rreth dy hektarë sipërfaqe u dogjën para se zjarri të vihej nën kontroll.

Ky aksident është më i riu në vargun e disa rasteve me numër të madh viktimash. Më herët këtë muaj, 11 njerëz vdiqën në jug të Meksikës, pasi një autobus u rrokullis. Muajin e kaluar, 41 njerëz vdiqën gjithashtu në jug të vendit, pasi një autobus u përplas me një kamion.

Lajme të ngjashme