Pamje: I zemëruar me votimin pro-palestinez, ambasadori izraelit e grin Kartën e OKB-së
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të premten me shumicë dërrmuese të votave e mbështeti synimin palestinez për anëtarësi të plotë në OKB përmes njohjes së faktit se Palestina kualifikohet për anëtarësim, duke i rekomanduar Këshillit të Sigurimit që “ta shqyrtojë çështjen në mënyrë të favorshme”.
Votimi në Asamblenë e Përgjithshme me 193 shtete anëtare ishte si sondazh global për mbështetjen ndaj synimit të Palestinës për t’u bërë anëtare e plotë e OKB-së – lëvizje që praktikisht do të njihte një shtet palestinez – pasi Shtetet e Bashkuara e bllokuan me veto këtë përpjekje muajin e kaluar në Këshillin e Sigurimit, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Asambleja e miratoi rezolutën me 143 vota “për” dhe vetëm nëntë “kundër” – ku u përfshinë Izraeli e ShBA-ja – ndërsa 25 shtete abstenuan. Kjo rezolutë nuk i jep Palestinës anëtarësi të plotë, por me të thjesht njihet fakti se Autoriteti Palestinez është i kualifikuar për t’u anëtarësuar.
Sidoqoftë, përfaqësuesve izraelitë nuk iu pëlqeu aspak votimi. Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, e cilësoi vendimin “shpërblim për Hamasin”.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan, gjithashtu e dënoi votimin dhe këtë e shprehu edhe në mënyrë simbolike, duke vendosur një kopje të Kartës së OKB-së në një pajisje për grirjen e letrave në shenjë proteste.
“Për aq gjatë sa aq shumë prej jush jeni urrejtës të hebrenjve, ju vërtet nuk mërziteni se palestinezët nuk janë paqedashës” – tha ai. “Turp ju qoftë” – shtoi ambasadori izraelit në OKB.
Ai gjithashtu mbajti në duar një fotografi të udhëheqësit të Hamasit, Yahya Sinwar, me mbishkrimin: “Presidenti Sinwar, Shteti Terrorist i Hamasit, i sponosiruzar nga OKB-ja”.