Pamje: Eskalon debati, kandidati për kryetar të Sao Paulos e godet me karrige rivalin
Një debat i transmetuar në televizion mes rivalëve për kryetar të qytetit më të madh të Brazilit, Sao Paulo, eskaloi në kaos, pasi njëri prej kandidatëve e goditi tjetrin me karrige.
Gjatë debatit të së dielës mes gjashtë kandidatëve, kandidati Jose Luiz Datena, prezantues televiziv, nuk e kontrolloi veten, kur kundërshtari Pablo Marcal tha se Datena nuk ishte mjaftueshëm burrë për ta goditur atë, siç kishte kërcënuar më herët, raporton agjencia “Reuters”.
Datena kishte kërcënuar se do ta godiste Marcalin edhe në një debat të mëhershëm, kur Marcali kishte diskutuar për një padi për ngacmim seksual kundër Datenas më 2019. Bashkëpunëtorja e kishte tërhequr padinë, por më vonë kishte thënë se ishte frikësuar që të mos fliste.
Në debatin e së dielës, Datena kapi një karrige dhe ia përplasi në krah rivalit Marcal. Datena, që në anketa po del i pesti për zgjedhjet e 6 tetorit, u përjashtua nga debati. Marcali u largua për të marrë kujdes mjekësor për shkak të mavijosjes në bri, tha zëdhënësi i tij.
Kandidatët e tjerë e vazhduan debatin.
Marcali po del i treti në anketa, pas kryetarit të tanishëm, Ricardo Nunes, dhe rivalit të tij majtist, Guilherme Boulos. Këta dy kandidatë kanë rezultat të ngushtë në sondazhe, sipas kompanisë së anketave “Datafolha”.