Pamje: Bideni reagon i zemëruar pas pretendimit të hetuesit Hur për probleme me kujtesën
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka kritikuar me zemërim një hetim, sipas të cilit ai kishte keqmenaxhuar dosje sekrete dhe përballej me vështirësi për të mbajtur në mend ngjarje kyçe të jetës.
Në një konferencë të befasishme për gazetarë të enjten në mbrëmje, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha: “Kujtesa ime është mirë.” Ai e goditi pretendimin se nuk mund t’i kujtohej se kur i ka vdekur djali, duke thënë për hetuesin: “Si dreqin guxon ai që ta ngrejë këtë?”
Në hetim thuhet se Bideni “me dashje mbajti dhe zbuloi” dosje të klasifikuara, por hetuesi vendosi që të mos e akuzonte atë, raporton televizioni BBC.
Hetuesi i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, Robert Hur, përcaktoi se Bideni kishte mbajtur në mënyrë jo të duhur dokumente të klasifikuara të lidhura me ushtrinë dhe politikën e jashtme në Afganistan pas përfundimit të mandatit të nënpresidentit.
Në raportin me 345 faqe, të publikuar të enjten, thuhet se kujtesa e presidentit amerikan ka “kufizime të konsiderueshme”.
Hetuesi Hur e kishte intervistuar presidentin 81-vjeçar për më shumë se pesë orë si pjesë e hetimit.
Hur tha se Bidenit nuk i kujtohej se kur ishte nënpresident (nga viti 2009 deri më 2017), ose “madje brenda disa viteve, kur vdiq djali i tij, Beau” (2015).
Në konferencën për gazetarë të enjten në mbrëmje, Bideni me emocione e kritikoi këtë raport që hedh dyshime mbi kujtesën e tij.
“Sinqerisht, kur m’u bë kjo pyetje, mendova me vete: kjo nuk është dreqin punë e tyre” – tha presidenti amerikan.
“Nuk kam nevojë që dikush të ma kujtojë se kur vdiq ai [Beau Bideni]” – shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Në raport thuhet se Bideni kishte ndarë disa prej materialeve të ndjeshme nga fletoret me dorëshkrim me një shkrimtar të biografisë së tij, pretendim që presidenti e mohoi.
Sipas anketave, mosha e Bidenit është shqetësim për votuesit amerikan para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Megjithatë, Bideni tha para gazetarëve të enjten se ai është kandidati më i kualifikuar.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli