Pamje: Aliyevi e vozit Putinin me Mercedes të blinduar nëpër Baku
Presidenti rus, Vladimir Putin, zhvilloi bisedime të hënën me homologun e tij azer, Ilham Aliyev, si pjesë e një udhëtimi dyditor për t’i siguruar rrugët tregtare të Moskës, që janë nën trysni, dhe për t’i fuqizuar lidhjet në Kaukazin Jugor.
Lidhjet biznesore ishin lart në agjendë gjatë takimit mes dy presidentëve në Baku. Aliyevi njoftoi se janë ndarë 120 milionë dollarë për ta fuqizuar transportin e mallrave mes dy vendeve, raporton agjencia “Associated Press”.
“Po flasim për mundësinë e transportimit të 15 milionë tonëve mallra në vit ose më shumë” – presidenti azer, duke shtuar se dy vendet e kishin kaluar nivelin prej 4 miliardë dollarësh qarkullim mes Rusisë e Azerbajxhanit vitin e kaluar dhe “asnjëri prej nesh nuk mendon që kjo është pika ku gjërat do të ndalen”.
Lidhje të tilla janë prioritet për Putinin, i cili gjithnjë më shumë varet nga shtete si Azerbajxhani për të siguruar qasje në tregje globale për shkak të sanksioneve që i janë vendosur Moskës për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, tha politologu i pavarur, Zardusht Alizade.
“Azerbajxhani është vendi i rëndësishëm transiti për Rusinë në kohën kur ajo ka nevojë që të ketë qasje të lirë në tregje botërore, përfshirë Iranin dhe portet në Oqeanin Indian” – i tha ai agjencisë “Associated Press”.
Gjatë vizitës në Baku, Putini u prit me nderime të larta shtetërore. Homologu i tij azer madje e luajti edhe rolin e shoferit për kreun e Kremlinit, duke e vozitur në një Mercedes-Benz S-Class të blinduar.