Pakistani thotë se ka “inteligjencë të besueshme” se India po planifikon sulm të menjëhershëm
Ministri i Informacionit i Pakistanit, Attaullah Tarar, ka thënë se vendi i tij ka “të dhëna të besueshme të inteligjencës” se India synon të kryejë një sulm ushtarak brenda 24 deri 36 orëve të ardhshme.
Komentet e ministrit pakistanez erdhën pasi India e akuzoi Pakistanin për përkrahjen e militantëve që qëndrojnë prapa një sulmi në pjesën e Kashmirit që administrohet nga India, ku javën e kaluar mbetën të vrarë 26 turistë. Pakistani i mohon akuzat, raporton televizioni BBC.
Ministri Tarar tha se India synon që ta përdorë sulmin ndaj turistëve si “pretekst të rremë” për një sulm ushtarak dhe se “çfarëdo aventurizmi i tillë ushtarak nga India do të merrte kundërpërgjigje në mënyrë të garantuar e të vendosur”.
Televizioni publik britanik e ka kontaktuar Ministrinë e Jashtme të Indisë për t’i marrë një koment.
Sulmi afër qytezës turistike Pahalgam ishte më vdekjeprurësi ndaj civilëve në dy dekadat e fundit në territorin e kontestuar. Edhe India, edhe Pakistani pretendojnë se rajoni u takon atyre dhe kanë zhvilluar dy luftëra për të.
Ushtarët e të dyja vendeve kanë shkëmbyer zjarr të kohëpaskohshëm me armë të vogla matanë kufirit ditëve të fundit.
Ka pasur spekulime për atë nëse India do të kundërpërgjigjet me sulme ushtarake ndaj Pakistanit, siç kishte vepruar pas sulmeve vdekjeprurëse të militantëve më 2016 e 2019.
Autoritetet thanë javën e kaluar se kishin kryer kërkime të gjera në Kashmirin e administruar nga India, duke ndaluar më shumë se 1.500 njerëz për t’i marrë në pyetje. Njerëz të tjerë janë ndaluar nga ajo kohë, edhe pse numri është i paqartë.
Autoritetet indiane i kanë shkatërruar shtëpitë e të paktën dhjetë militantëve të dyshuar. Së paku njëri prej tyre thuhet se ishte i lidhur me një të dyshuar që është përmendur në rastin e sulmit ndaj turistëve.
Në pjesën e Kashmirit që administrohet nga India ka pasur kryengritje të armatosur kundër pushtetit indian që nga viti 1989. Militantët kanë vënë në shënjestër edhe forca të sigurisë, edhe civilë./Nacionale