Pakistani thotë se Arabia Saudite ia ka dhënë dy miliardë dollarë përkrahje financiare
Pakistani ka pranuar dy miliardë dollar si përkrahje financiare nga Arabia Saudite, tha të martën ministri i Financave i Pakistanit, Ishaq Dar, një ditë para se bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar pritet t’ia japë miratimin përfundimtar fondit shumë të nevojshëm prej tre miliardë dollarësh shtetit aziatik.
“E falënderoj Arabinë Saudite në emër të kryeministrit dhe të komandantit të ushtrisë”- tha ministri Dar në një video të regjistruar, duke e quajtur këtë veprim “gjest të mrekullueshëm” të aleatit të vjetër, raporton agjencia “Reuters”.
Arabia Saudite i depozitoi fondet në bankën qendrore, tha ministri pakistanez, duke i fuqizuar rezervat e këmbimit të valutës së huaj, kur Pakistani kishte mbetur me fonde që zor se i mbulonin importimet e kontrolluara për një muaj.
Arabia Saudite i kishte premtuar këto fonde në prill, por nuk i depozitoi në Bankën Shtetërore të Pakistanit derisa u sigurua që fondi i FMN-së do të pasonte së shpejti.
“Kjo e pasqyron besimin në rritje të shteteve tona vëllazërore dhe komunitetit ndërkombëtar në ndryshimin e situatës ekonomike në Pakista”- tha kryeministri Shebaz Sharif.
Marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar do të zhbllokojë më shumë financime dypalëshe e shumëpalëshe, përpos fondeve nga Arabia Saudite, dhe ministri Dar ka thënë se pret që rezervat pakistaneze të valutës së huaj do të shkojnë në 15 miliardë dollarë deri në fundin e këtij muaji.
Koalicioni qeveritar i kryeministrit Sharif, i cili pritet të ballafaqohet me zgjedhje më vonë këtë vit, duhet të ndërmarrë masa më të dhimbshme fiskale për ta kënaqur FMN-në dhe banka qendrore e ka rritur shkallën në interesit në nivel rekord prej 22 për qind, ndërsa pakistanezët e rëndomtë po përballen me inflacionin që është rreth 29 për qind.