Pakistani e Afganistani nisin bisedime të reja në Kinë për t’i dhënë fund konfliktit - NACIONALE

Pakistani e Afganistani nisin bisedime të reja në Kinë për t’i dhënë fund konfliktit

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Afganistani dhe Pakistani kanë nisur një rund të ri bisedimesh në Kinë për t’u dhënë fund luftimeve më vdekjeprurëse mes dy vendeve me shumicë myslimane që nga rikthimi i talibanëve në pushtet më 2021, thanë burimet të mërkurën.

Pekini ka bërë përpjekje për të ndërmjetësuar një zgjidhje të negociuar për konfliktin që u ka shkaktuar humbje të rënda dy palëve, edhe pse më shumë në anën afgane, që nga nisja e sulmeve ajrore pakistaneze në fund të shkurtit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Rundi i ri i bisedimeve përkon me vizitën e ministrit të Jashtëm të Pakistanit, Ishaq Dar në Pekin për të kërkuar mbështetje nga Kina për nismën e Pakistanit për të ndërmjetësuar në marrëveshjen e paqes mes ShBA-së dhe Iranit.

Delegatë të ministrive të Jashtme dhe të Mbrojtjes nga të dyja vendet kanë udhëtuar në qytetin veriperëndimor kinez, Urumqi, thanë katër burime në Pakistan dhe Kabul.

Katër burimet folën në kushte anonimiteti, sepse nuk ishin të autorizuara që të zbulonin informata, duke thënë se në bisedime janë të përfshirë zyrtarë të nivelit mesatar.

Ministria e Jashtme e Pakistanit dhe administrata në Kabul nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Bisedimet do të përqendrohen në një armëpushim të mundshëm dhe në rihapjen e pikëkalimeve kufitare për t’i mundësuar tregtinë dhe udhëtimet, thanë burimet, duke shtuar se rundi i ri i bisedimeve është nismë kineze./Nacionale

Lajme të ngjashme