Orbani thotë se Turqia do ta garantojë rrjedhjen e gazit rus në Hungari
Presidenti turk, Rexhep Erdogan, dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, janë pajtuar se Turqia do të garantojë që gazi rus të mund të vazhdojë që të rrjedhë në Hungari, tha të hënën politikani hungarez.
Hungaria e ka vazhduar varësinë nga energjia ruse që nga fillimi i luftës në Ukrainë, duke nxitur kritika nga disa aleatë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në vitin 2021, Hungaria nënshkroi një marrëveshje 15-vjeçare me Rusinë për të blerë 4,5 miliardë metra kub gaz në vit, ndërsa vitin e kaluar i shtoi blerjet nga gjiganti rus “Gazprom”, duke importuar rreth 7,5 miliardë metra kub gaz rus përmes gazsjellësit “Turkstream”.
“Sot, unë u pajtova me presidentin që ju, Turqia, do ta garantoni rrugën në mënyrë që ne të mund të transportojmë [gaz] nga Rusia për në Hungari” – tha Orbani në një konferencë për gazetarë të transmetuar nga televizioni shtetëror, M1.
Kryeministri hungarez tha gjithashtu se vendi i tij ka pranuar 7,5 milionë miliardë metra kub gaz përmes gazsjellësit “Turkstream” deri më tani këtë vit.
Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara i dhanë Hungarisë një vit përjashtim nga sanksionet amerikane për përdorimin e gazit dhe naftës ruse, pasi Orbani e çoi përpara këtë kërkesë gjatë një takimi miqësor me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Kryeministri hungarez në fund të muajit të kaluar u takua edhe me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai tha në rrjete sociale atë kohë se po e vizitonte Moskën “për ta siguruar furnizimin e Hungarisë me energji për dimër dhe për vitin e ardhshëm”./Nacionale