Orbani thotë se Hungaria ka marrëveshje për mburojë financiare me ShBA-në - NACIONALE

Orbani thotë se Hungaria ka marrëveshje për mburojë financiare me ShBA-në

4 javë më parë

nga NACIONALE

Hungaria ka siguruar një marrëveshje me Uashingtonin për një “mburojë financiare” për t’i mbrojtur ekonominë dhe financat e veta, tha kryeministri hungarez, Viktor Orban, pas bisedimeve me presidentin amerikan, Donald Trump.

Orbani, aleat i vjetër i Trumpit, u takua me të në Shtëpinë e Bardhë të premten për të kërkuar lirim nga sanksionet amerikane ndaj naftës dhe gazit rus, duke siguruar një përjashtim 1-vjeçar nga këto masa, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Hungaria gjithashtu është zotuar për të blerë gaz natyror të lëngëzuar amerikan me kontrata që e kanë vlerën e rreth 600 milionë dollarëve, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.

“Unë gjithashtu kam bërë një marrëveshje me presidentin amerikan për një mburojë financiare” – tha Orbani para gazetarëve gjatë udhëtimit me aeroplan drejt atdheut pas përfundimit të takimit.

“Nëse ka ndonjë sulm të jashtëm kundër Hungarisë ose sistemit financiar të saj, amerikanët e dhanë fjalën se, në një rast të tillë, ata do ta mbronin stabilitetin financiar të Hungarisë” – shtoi ai.

Në pushtet që nga viti 2010, Orbani është bërë kritikues gjithnjë më i zëshëm i Bashkimit Evropian, i cili ka pezulluar miliarda euro fonde për Hungarinë për shkak të reformave të udhëheqësit nacionalist në sistemin e sundimit të ligjit.

Orbani, për të cilin analistët politikë thonë se mund të ballafaqohet me një garë të ngushtë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, nuk dha hollësi për atë se çfarë përfshin marrëveshja me Trumpin. Megjithatë, ai tha se pakti nënkupton se Hungaria nuk do të kishte probleme financiare.

Ekonomia e Hungarisë ka stagnuar gjatë tri viteve të fundit pas rritjes së inflacionit, e nxitur nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës më 2022.

Sidoqoftë, forinti, që është dobësuar dukshëm që nga ardhja e Orbanit në pushtet, po prin në rritje në mesin e valutave të vendeve të Bashkimit Evropian këtë vit, i fuqizuar nga shkalla më e lartë e interesit në BE./Nacionale

Lajme të ngjashme