Orbani kundër hyrjes së Ukrainës në BE: Anëtarësimi është i tepërt
Duke arritur në samitin e udhëheqësve evropianë që po mbahet në Kopenhagë të Danimarkës, kryeministri hungarez, Viktor Orban, tha se vendi i tij mbetet kundër idesë së pranimit të Ukrainës is anëtare në Bashkimin Evropian.
“Hungarezët nuk do të donin të përkisnin në formatin e njëjtë të integrimit, madje as në një të tillë si NATO-ja, [ose] një [format] ekonomik, politik si Bashkimi Evropian, me ukrainasit. Prandaj, propozimi im, propozimi i hungarezëve është që të ketë një marrëveshje strategjike [me Ukrainën], jo anëtarësim” – tha Orbani, shkruan gazeta “The Guardian”.
“Ukraina është vend heroik. Ne duhet t’i mbështesim. Nuk diskutohet kjo. Çështja është forma se si e bëjmë këtë. Anëtarësimi është i tepërt” – shtoi kryeministri hungarez.
Sipas Orbanit, kjo nuk është pikëpamja e tij, por "një vendim i popullit hungarez". Pasi u pyet disa herë për kundërshtimin e tij ndaj hyrjes së Ukrainës në BE, ai këmbënguli se qëndrimi i tij është “fare anëtarësim”.
“Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë pas 100 vjetëve... por sot është qartazi jo, jo anëtarësimit. Kjo do të thoshte, së pari, që lufta do të vinte në Bashkimin Evropian; së dyti, paratë nga Bashkimi Evropian do të shkonin në Ukrainë. Të dyja [do të ishin] të këqija” – u shpreh kryeministri hungarez.
Ai gjithashtu i hodhi poshtë sugjerimet se BE-ja mund t’i ndryshojë rregullat rreth hapjes së negociatave me shtetet e reja anëtare për ta anashkaluar veton e Hungarisë.
“Është një procedurë ligjore e përcaktuar prerazi se si të bëhet kjo. Ne duhet t’i përmbahemi asaj. Ajo do të thotë vendim i njëzëshëm” – theksoi Orbani.
Kryeministri hungarez i mbrojti komentet e tij të mëhershme, në të cilat kishte argumentuar se Ukraina nuk është më vend sovran.
“Ata s’kanë të holla për ta mbajtur veten. Ne e paguajmë ushtrinë, ne e paguajmë burokracinë publike, ne i paguajmë pensionet, ne paguajmë gjithçka. Nëse paguheni nga dikush tjetër, nuk jeni vend sovran. Nuk është deklaratë morale, është thjesht një fakt financiar” – deklaroi Orbani.
Ai i dha një këshillë Danimarkës rreth dronëve që u panë në qiellin e saj para disa ditëve – t’i rrëzojë./Nacionale/Nasuf Abdyli