Orbani e uron Putinin për fitoren në zgjedhjet presidenciale - NACIONALE

Orbani e uron Putinin për fitoren në zgjedhjet presidenciale

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri populist i Hungarisë, Viktor Orban, e ka uruar presidentin rus, Vladimir Putin, për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale në Rusi, rezultati i të cilave nuk ishte asnjëherë në dyshim pas shtypjes së vazhdueshme të pakënaqësisë.

Orbani, që shihet gjerësisht si aleati më i ngushtë i Putinit në Bashkimin Evropian, e dërgoi letrën e urimit të enjten, pas publikimit të rezultateve zyrtare të zgjedhjeve në Rusi, sipas shefit të tij për shtyp, raporton agjencia “Associated Press”.

Kryeministri hungarez është udhëheqësi i vetëm i një shteti të Bashkimit Evropian që e uron Putinin për fitoren në zgjedhje, të cilat do t’ia zgjasin qëndrimin e gjatë në pushtet edhe për gjashtë vjet.

Në letrën e Orbanit thuhet se bashkëpunimi mes Hungarisë dhe Rusisë, “i mbështetur në respekt të ndërsjellë, mundëson diskutime të rëndësishme në kontekste gjeopolitike sfiduese”.

Ai gjithashtu e theksoi atë që e quajti “përkushtim të Hungarisë ndaj paqes”, e cila e ka marrë formën e thirrjeve të përsëritura për armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë, pa përcaktuar se çfarë do të sillte një hap i tillë për integritetin territorial të Ukrainës.

Qeveria e Orbanit ka marrë qasje tjetër ndaj luftës në Ukrainë në krahasim me aleatët e saj në BE dhe NATO që nga fillimi i pushtimit të plotë rus para më shumë se dy vjetëve. Hungaria ka refuzuar që ta furnizojë Ukrainën me armë ose ta lejojë dërgimin e tyre nga palët e tjera përmes territorit hungarez.

Lajme të ngjashme