Orbani e uron partinë pro-ruse për fitoren në Gjeorgji, niset për atje - NACIONALE

Orbani e uron partinë pro-ruse për fitoren në Gjeorgji, niset për atje

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, do ta vizitojë Gjeorgjinë, pasi e uroi partinë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, për “fitoren dërrmuese” në zgjedhjet parlamentare, pavarësisht nga shqetësimet e gjera për frikësim dhe detyrim të votuesve.

Orbani do të udhëheqë një delegacion të ministrave të lartë për t’u takuar me homologun e tij gjeorgjian, Irakli Kobakhidze, gjatë një vizite dyditore që pritet t’i zemërojë udhëheqësit e BE-së në kohën kur Hungaria e mban presidencën e përkohshme të Bashkimit Evropian, raporton gazeta “The Guardian”.

Kryeministri hungarez “nuk e përfaqëson Bashkimin Evropian” në vizitën e tij, tha të hënën kryediplomati i BE-së, Josep Borrell. “Presidenti i përkohshëm i unionit nuk ka autoritet në politikën e jashtme” – shtoi ai.

Në një deklaratë të lëshuar të dielën dhe ët nënshkruar nga Komisioni Evropian, Borrelli shprehu shqetësime për presionin dhe frikësimin e raportuar të votuesve gjatë zgjedhjeve të së shtunës. “Ne u bëjmë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Gjeorgjisë dhe autoriteteve të tjera përkatëse që ta përmbushin detyrën e tyre për t’i hetuar dhe gjykuar shpejt dhe në mënyrë të pavarur parregullsitë dhe pretendimet” – thuhet në deklaratë.

Udhëheqësi hungarez arrin në Tbilisi në kohën kur opozita po bën thirrje për protesta për rezultatin e zgjedhjeve që i ka dhënë një goditje shpresës së Gjeorgjisë për anëtarësim në BE. Presidentja pro-perëndimore e vendit, Salome Zourabichvili, ka thënë se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve dhe se Gjeorgjia ka rënë viktimë e një “operacioni special rus”.

Kryeministri hungarez ua shprehu përgëzimet kryeministrit Kobakhidze dhe partisë së tij për “fitoren e tyre dërrmuese” të shtunën, madje ende pa u publikuar rezultatet.

Një ekip i Parlamentit Evropian, që ishte dërguar për t’i vëzhguar zgjedhjet, ka thënë se ka gjetur një rast të mbushjes së kutisë së votave si dhe “sulm fizik ndaj vëzhguesve që janë përpjekur për të raportuar rreth shkeljeve, largim të vëzhguesve dhe mediave nga qendrat e votimit, grisjen e ankesave të vëzhguesve, frikësimin e votuesve brenda dhe jashtë qendrave të votimit, praninë e shumë vëzhguesve të ndërlidhur me parti si vëzhgues civilë”.

Eurodeputeti nga Holanda, Thijs Reuten, që nuk ishte pjesë e delagacionit, iu bëri thirrje 26 vendeve të tjera të BE-së dhe Komisionit Evropian që të dilnin kundër kryeministrit hungarez. “Legjitimimi i këtyre zgjedhjeve nga Orbani e minon vetë BE-në” – shkroi ai në rrjetin X./Nacionale

Lajme të ngjashme