Presidentja e Gjeorgjisë nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve - NACIONALE

Presidentja e Gjeorgjisë nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, tha të dielën se nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën në fundjavë në vendin e saj.

Zyrtarët zgjedhorë thonë se zgjedhjet i ka fituar partia në pushtet, por presidentja tha se Gjeorgjia ra viktimë e “një operacioni special rus”, qëllimi i të cilit ishte nxjerrja e vendit nga rruga evropiane, raporton agjencia “Associated Press”.

Duke qëndruar grahas udhëheqësve opozitarë, zonja Zourabichvili iu bëri thirrje gjeorgjianëve që të dilnin të hënën në mbrëmje në rrugën kryesore të kryeqytetit Tbilisi për të protestuar kundër atij që e quajti “falsifikim të plotë, vjedhje totale të votave tuaja”, duke e paraqitur mundësinë për trazira të mëtejme politike në shtetin e Kaukazit Jugor.

Ajo foli një ditë pas zgjedhjeve që mund të vendosin nëse Gjeorgjia do ta përqafojë Evropën apo do të bjerë nën ndikimin e Rusisë, thekson agjencia e njohur amerikane e lajmeve.

“Këto zgjedhje nuk mund të njihen, sepse është njohje e ndërhyrjes së Rusisë këtu, nënshtrim i Gjeorgjisë para Rusisë” – tha presidentja Zourabichvili.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha të dielën se partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, ka marrë 54,8 për qind të votave, kur pothuajse të gjitha votat ishin numëruar.

Ëndrra Gjeorgjiane është bërë parti gjithnjë më autoritare gjatë vitit të fundit, duke miratuar ligje të ngjashme me ato që përdoren nga Rusia për ta shtypur lirinë e të shprehurit. Brukseli e ka pezulluar pa afat të caktuar procesin e anëtarësimit të Gjeorgjisë në BE për shkak të “ligjit kundër ndikimit të jashtëm” të stilit rus, i miratuar në qershor.

Shumë gjeorgjianë i shohin zgjedhjet e së shtunës si referendum për mundësinë për anëtarësim në BE./Nacionale

Lajme të ngjashme