Orbani e akuzon Ukrainën për rrahje për vdekje të një burri me shtetësi të dyfishtë, reagon Kievi
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, të premten i akuzoi autoritetet ukrainase se kanë rrahur për vdekje një qytetar me shtetësi të dyfishtë hungarezo-ukrainase gjatë mobilizimit të tij në ushtri.
Akuza u hodh poshtë nga Kievi, por i ka tensionua më tej raportet mes dy vendeve fqinje, raporton agjencia e lajmeve “Assocaited Press”.
Orbani, kritikues i ashpër i Ukrainës dhe i luftës së saj kundër pushtimit rus, tha në radion publike se një burrë që raportohet se vdiq në një spital ukrainas më herët këtë muaj ishte “rrahur për vdekje” nga rekrutuesit e tij.
Kryeministri hungarez nuk ofroi ndonjë dëshmi për ta mbështetur akuzën e tij, por shtoi se çështja mbetet nën hetim.
Deklaratat e Orbanit erdhën një ditë pasi Ministria e Jashtme e Hungarisë e thirri në takim ambasadorin ukrainas për raportin e pakonfirmuar. Kjo ministri pretendoi se rekrutuesit e ushtrisë ukrainase e kishin rrahur burrin si pjesë e “rekrutimit me forcë” në ushtri para se ta dërgonin në një qendër rekrutimi.
Autoritetet ukrainase e kanë vënë në pikëpyetje këtë version, duke thënë se burri ishte shtetas ukrainas që ishte larguar nga njësia e tij ushtarake pa autorizim dhe më vonë ishte paraqitur në një spital. Sipas autoriteteve, spitali nuk gjeti shenja të lëndimit fizik që tregonin dhunë.
Shkaktari i vdekjes ishte embolizmi pulmonar, tha të enjten ambasada ukrainase në Budapest.
Kjo përplasje i tensionon edhe më tej marrëdhëniet mes Ukrainës e Hungarisë, e cila është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.
Përderisa shumica e shteteve të tjera të BE-së i kanë ofruar Kievit përkrahje politike, financiare dhe ushtarake që nga fillimi i pushtimit të plotë rus më 2022, Hungaria e udhëhequr nga Orbani ka zgjedhur drejtim tjetër, duke refuzuar që t’i dhurojë armë Ukrainës si dhe duke kërkuar lehtësim të sanksioneve ndaj Rusisë./Nacionale